Veprat e Apostujve 1
1 Trajtesën e parë, o Teofil, unë e bëra rreth të gjitha gjërave që Jezusi filloi të bënte dhe të mësonte
2 deri ditën në të cilën u mor lart në qiell, pasi u dha urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë apostujve që zgjodhi,
3 të cilëve, mbasi ai vuajti, edhe ua paraqiti veten të gjallë me shumë prova të qarta, gjatë dyzet ditëve, duke u parë prej tyre dhe duke folur për gjërat rreth Mbretërisë së Perëndisë.
4 Dhe duke u mbledhur bashkë me ta, i porositi që të mos largoheshin nga Jerusalemi, por të prisnin premtimin e Atit, "të cilin", tha Jezusi, "e dëgjuat nga unë;
5 sepse Gjoni vërtet pagëzoi në ujë, por ju do të pagëzoheni në Frymën e Shenjtë jo shumë ditë mbas këtyre ditëve".
6 Kështu, kur ata u mblodhën, e pyesnin duke thënë: "Zot, vallë në këtë kohë ia rivendos mbretërinë Izraelit?".
7 Por ai u tha atyre: "Nuk ju takon juve për të njohur kohëra apo periudha, të cilat Ati i caktoi me pushtetin e vet.
8 Por ju do të merrni fuqi kur të ketë ardhur Fryma e Shenjtë mbi ju dhe do të jeni dëshmitarët e mi qoftë në Jerusalem e qoftë në gjithë Judenë, dhe në Samari, dhe deri në fund të dheut".
9 Dhe si tha këto, ndërsa ata po shihnin, u ngrit lart dhe një re e mori, larg nga sytë e tyre.
10 Dhe siç ishin duke shikuar ngultas drejt qiellit, ndërsa ai po shkonte, ja, po qëndronin pranë tyre dy burra me veshje të bardha,
11 të cilët edhe thanë: "O burra galileas, pse qëndroni duke parë drejt qiellit? Ky Jezus që u mor nga mesi juaj në qiell, do të vijë pikërisht në atë mënyrë që e vërejtët duke shkuar në qiell".
12 Pastaj ata u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullishtës (që është afër Jerusalemit sa është një rrugë shabati).
13 Dhe kur hynë në qytet, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku ishin duke ndenjur. Ata ishin Pjetri dhe Gjoni, dhe Jakobi, dhe Andrea; Filipi dhe Thomai, Bartolomeu dhe Mateu, Jakobi i Alfeut dhe Simon Zeloti, dhe Juda i Jakobit.
14 Këta të gjithë i ishin përkushtuar me një mendje lutjes, bashkë me gratë dhe me Marinë, nënën e Jezusit, dhe bashkë me vëllezërit e tij.
15 Dhe në ato ditë, Pjetri u ngrit në mes të vëllezërve (dhe ishte një turmë rreth njëqind e njëzet vetash të mbledhur në të njëjtin vend) dhe tha:
16 "O burra, o vëllezër, duhej që të përmbushej Shkrimi të cilin e parafoli Fryma e Shenjtë nëpërmjet gojës së Davidit, në lidhje me Judën, që u bë udhëheqës i atyre që kapën Jezusin,
17 sepse ishte numëruar ndër ne dhe mori shortin e këtij shërbimi.
18 (Kështu, ky njeri fitoi një arë prej pagës së padrejtësisë, dhe duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe iu derdhën të gjitha të përbrendshmet.
19 Dhe kjo iu bë e njohur të gjithë banorëve të Jerusalemit, aq sa ajo arë të quhej në të folmen e tyre Hakeldamá, domethënë Ara e Gjakut.)
20 Se është shkruar në librin e Psalmeve: 'Të bëhet konaku i tij i shkretë dhe asnjë që banon në të, mos të ketë'; dhe: 'Detyrën e tij të mbikëqyrjes duhet ta marrë një tjetër'.
21 Duhet, pra, që, nga burrat që erdhën bashkë me ne gjatë gjithë kohës në të cilën Zoti Jezus hyri dhe doli te ne,
22 duke filluar nga pagëzimi i Gjonit e deri ditën në të cilën u mor lart nga mesi ynë, një prej këtyre të bëhet bashkë me ne dëshmitar i ringjalljes së tij".
23 Dhe vunë para dy: Jozefin, që quhej Barsaba (i cili u mbiquajt Just), dhe Matian.
24 Dhe u lutën e thanë: "Ti, o Zot, o zemërnjohës i të gjithëve, trego qartë njërin prej këtyre të dyve, të cilin e zgjodhe
25 që të marrë vendin e këtij shërbimi dhe apostullimi, nga i cili Juda dredhoi për të shkuar në vendin e vet".
26 Dhe hodhën short për ta, dhe shorti i ra Matias; dhe ai u llogarit bashkë me të njëmbëdhjetë apostujt.
Të gjithë librat
