Letra drejtuar Titit 2
1 Por ti fol ato që përkojnë me doktrinën e shëndoshë:
2 të moshuarit të jenë të përkorë, dinjitozë, të matur, të shëndoshë në besim, në dashuri dhe në qëndrueshmëri.
3 Po ashtu, të moshuarat të jenë me një sjellje siç u lypset shenjtoreve, jo shpifëse, jo të skllavëruara ndaj verës së shumtë, por mësuese të së mirës,
4 me qëllim që t'i kthjellojnë të rejat për të dashur burrat e vet dhe për të dashur fëmijët,
5 për të qenë të matura, të dëlira, kujdestare të shtëpisë, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të vet, që fjala e Perëndisë të mos përflitet.
6 Po ashtu, të rinjtë nxiti që të jenë të matur,
7 duke e paraqitur për të gjitha veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në mësim mosprishje, dinjitet, paprishshmëri,
8 një të folur të shëndoshë dhe të padënueshëm, me qëllim që kundërshtari të turpërohet, duke mos pasur asgjë të ulët për të thënë rreth nesh.
9 Skllevërit nxiti që t'u nënshtrohen zotërinjve të vet në të gjitha, që t'u pëlqejnë atyre, duke mos kundërshtuar
10 dhe duke mos përvetësuar asgjë, por duke shfaqur plotësisht besë të mirë, me qëllim që ta stolisin doktrinën e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë, në të gjitha.
11 Se u shfaq hiri i Perëndisë, ai që u sjell shpëtim të gjithë njerëzve,
12 duke na edukuar që, duke mohuar papërshpirtërinë dhe dëshirimet e kësaj bote, të jetojmë maturisht dhe drejtësisht, dhe përshpirtërisht në epokën e tanishme,
13 duke pritur shpresën e lume dhe dukjen e lavdisë së të madhit Perëndi dhe Shpëtimtar tonit, Jezu Krishtit,
14 i cili e dha vetveten për ne, me qëllim që të na shpengonte nga çdo paligjshmëri dhe të pastronte për veten e vet një popull të veçantë, të zellshëm për vepra të mira.
15 Këto gjëra fol dhe nxit, dhe qorto me çdo të drejtë urdhërimi. Asnjë mos të të shpërfillë!
Të gjithë librat
