Letra drejtuar Titit 3
1 Sillu ndërmend atyre që t'u nënshtrohen parive dhe pushteteve, që të jenë të bindur, që të jenë të gatshëm për çdo vepër të mirë,
2 që të mos përflasin askënd, që të jenë jo luftarakë, por zemërgjerë, duke treguar çdo butësi ndaj të gjithë njerëzve.
3 Se më parë ishim edhe ne të pamend, të pabindur, të mashtruar, skllevër të dëshirimeve dhe qejfeve të çfarëdollojshme, duke e kaluar jetën në të keqe dhe smirë, të urrejtshëm dhe duke urryer njëri-tjetrin.
4 Po kur u shfaq mirësia dhe njeridashja e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë,
5 na shpëtoi jo prej veprash të cilat ne i bëmë në drejtësi, por sipas mëshirës së tij, nëpërmjet larjes së rilindjes dhe ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë,
6 të cilin e derdhi mbi ne pasurisht nëpërmjet Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë,
7 me qëllim që, duke u drejtësuar me hirin e tij, të bëhemi trashëgimtarë sipas shpresës së jetës së përjetshme.
8 E besueshme është kjo fjalë dhe këto gjëra dua që ti t'i pohosh me ngulm, me qëllim që ata që i kanë besuar Perëndisë, të jenë të vëmendshëm për të kryesuar në vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit.
9 Por ti shmang rragatjet e marra dhe gjenealogjitë, dhe grindjet, dhe zënkat rreth Ligjit, sepse janë të padobishme dhe të kota.
10 Një njeri sektar, mbas një paralajmërimi të parë dhe të dytë, largoje,
11 duke ditur se një i tillë është mbrapshtuar dhe mëkaton, duke qenë i vetëdënuar.
12 Kur të kem dërguar Artemain te ti, ose Tikikun, nxito që të vish tek unë në Nikopojë, sepse kam vendosur që të dimëroj atje.
13 Zenain, juristin, dhe Apolin përcilli me përkujdesje, që atyre të mos u mungojë asgjë.
14 Dhe duhet të mësojnë edhe tanët për të kryesuar në vepra të mira për nevojat e domosdoshme, që të mos jenë të pafrytshëm.
15 Të përshëndesin të gjithë ata që janë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë me të gjithë ju!
Të gjithë librat
