Letra drejtuar Titit 1
1 Pali, skllav i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, për besimin e të zgjedhurve të Perëndisë dhe për njohjen e plotë të së vërtetës që është sipas përshpirtërisë,
2 mbi shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia që nuk gënjen, e premtoi përpara kohërave të përjetshme,
3 por shfaqi në kohën e duhur fjalën e tij në predikimin i cili m'u besua mua sipas urdhrit të Shpëtimtarit tonë, Perëndisë,
4 Titit, birit të vërtetë sipas besimit të përbashkët: hir dhe paqe nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezus, Shpëtimtari ynë.
5 Për këtë arsye të lashë në Kretë: që të rregullosh ato që mbeten për t'u bërë dhe të caktosh pleq në çdo qytet, siç unë të udhëzova,
6 domethënë nëse dikush është i paqortueshëm, burrë i një gruaje të vetme, që ka fëmijë besnikë, që nuk paditen për shfrenim apo si të panënshtruar.
7 Se mbikëqyrësi duhet të jetë i paqortueshëm si administrator i Perëndisë, jo kokëfortë, jo zemërak, jo i dhënë pas verës, jo dhunues, jo lakmues fitimi të turpshëm,
8 por mikpritës, mirëdashës, i matur, i drejtë, i shenjtë, i vetëpërmbajtur,
9 që i mbahet fort fjalës së besueshme që është sipas mësimit, me qëllim që të jetë i zoti edhe për të nxitur në doktrinën e shëndoshë, edhe për të qortuar ata që kundërshtojnë.
10 Se ka shumë edhe të panënshtruar, fjalëkotë dhe mendjeprishës, veçanërisht ata prej rrethprerjes,
11 të cilëve duhet t'u mbyllet goja, ngaqë ata përmbysin shtëpi të tëra, duke mësuar ato që nuk duhet, për arsye fitimi të turpshëm.
12 Dikush prej tyre, vetë një profet i tyre, tha: "Kretasit janë përherë gënjeshtarë, shtazë të këqija, barkashorë përtacë".
13 Kjo dëshmi është e vërtetë. Për këtë arsye qortoji ashpër, me qëllim që të jenë të shëndoshë në besim,
14 duke mos u kushtuar vëmendje miteve judaike dhe urdhërimeve të njerëzve që i kthejnë shpinën së vërtetës.
15 Të gjitha janë të pastra për të pastrit; ndërsa për ata që janë të ndyrë dhe jobesimtarë, asgjë nuk është e pastër; përkundrazi, është ndyrë edhe mendja e tyre, edhe ndërgjegjja.
16 Ata pohojnë se e njohin Perëndinë, por me vepra e mohojnë, duke qenë të neveritshëm dhe të pabindur, dhe të papërshtatshëm për çdo vepër të mirë.
Të gjithë librat
