Ruta 4
1 Tani, Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul atje. Dhe, ja, shpenguesi, për të cilin Boazi kishte folur, po kalonte andej. Dhe Boazi i tha: "Kthehu dhe ulu këtu, filan fistëku". Dhe ai u kthye e u ul.
2 Pastaj Boazi mori dhjetë burra nga pleqtë e qytetit dhe u tha: "Uluni këtu". Dhe ata u ulën.
3 Dhe Boazi i tha shpenguesit: "Naomi e cila është kthyer nga fusha e Moabit, po shet pjesën e fushës që i përkiste vëllait tonë, Elimelekut.
4 Prandaj unë thashë të të vë në dijeni duke të thënë: 'Blije përpara atyre që janë të ulur dhe përpara pleqve të popullit tim. Nëse do ta shpengosh, shpengoje; por, nëse nuk do ta shpengosh, ma thuaj që ta di, sepse përpos teje nuk ka tjetër të drejtën për të shpenguar, ndërsa mbas teje jam unë.'" Dhe ai tha: "Do ta shpengoj unë".
5 Dhe Boazi i tha: "Në ditën që do të blesh fushën nga dora e Naomit, duhet të blesh edhe Rutën, moabiten, gruan e të vdekurit, me qëllim që të mbash gjallë emrin e të vdekurit mbi trashëgiminë e tij".
6 Atëherë shpenguesi tha: "Unë nuk mund ta shpengoj, përndryshe do të shkatërroj trashëgiminë time. Shpengoje ti vetë atë që kisha për të shpenguar unë sepse nuk mund ta shpengoj".
7 (Dhe së lashti në Izrael për të verifikuar çdo veprim në lidhje me shpengimin dhe shkëmbimin ndodhte kjo: njëri hiqte sandalen e tij dhe ia jepte tjetrit. Dhe kjo vlente si dëshmi në Izrael.)
8 Dhe shpenguesi i tha Boazit: "Blije ti." dhe hoqi sandalen e tij.
9 Dhe Boazi u tha pleqve dhe gjithë popullit: "Sot ju jeni dëshmitarë se kam blerë nga dora e Naomit gjithçka që i përkiste Elimelekut dhe gjithçka që i përkiste Kilionit dhe Mahlonit.
10 Madje edhe Rutën, moabiten, gruan e Mahlonit, e kam marrë për mua si grua me qëllim që të mbaj gjallë emrin e të vdekurit mbi trashëgiminë e tij dhe që të mos shuhet emri i të vdekurit nga mesi i vëllezërve të tij dhe nga porta e vendit të tij. Ju jeni dëshmitarë sot!".
11 Dhe gjithë populli që ishte te porta dhe pleqtë thanë: "Jemi dëshmitarë! Jahveh-u e bëftë gruan që po hyn në shtëpinë tënde si Rakela dhe si Lea, që ndërtuan që të dyja shtëpinë e Izraelit! Paç fuqi në Efratah dhe u bëfsh i famshëm në Betlehem!
12 Dhe qoftë shtëpia jote si shtëpia e Perecit që Tamara i lindi Judës, nëpërmjet pasardhësit që Jahveh-u do të të japë nga kjo e re!".
13 Dhe Boazi e mori Rutën dhe ajo u bë gruaja e tij. Pastaj ai pati marrëdhënie me të dhe Jahveh-u bëri që ajo të mbetet me barrë dhe ajo lindi një djalë.
14 Atëherë gratë i thanë Naomit: "I bekuar qoftë Jahvehu i cili nuk të la sot pa shpengues. Dhe u bëftë i famshëm në Izrael!
15 Dhe ai do të të përtërijë shpirtin dhe do të të përkrahë në pleqëri, sepse e lindi nusja jote, e cila të do dhe e cila është për ty më e mirë se shtatë bij".
16 Dhe Naomi e mori fëmijën, dhe e vuri në gjirin e saj, dhe ajo ishte për të si dado.
17 Dhe fqinjat i vunë emrin duke thënë: "Naomit i ka lindur një djalë." dhe i vunë emrin Obed. Ai ishte ati i Jeseut, ati i Davidit.
18 Dhe këto janë breznitë e Perecit: Perecit i lindi Hecroni.
19 Dhe Hecronit i lindi Rami, dhe Ramit i lindi Aminadabi.
20 Dhe Aminadabit i lindi Nahashoni, dhe Nahashonit i lindi Salmahu.
21 Dhe Salmonit i lindi Boazi, dhe Boazit i lindi Obedi.
22 Dhe Obedit i lindi Jeseu, dhe Jeseut i lindi Davidi.
Të gjithë librat
