Ruta 3
1 Dhe i tha asaj Naomi, vjehrra e saj: "Bija ime, a nuk duhet të kërkoj për ty një vend prehjeje, që të të bëjë mirë?!
2 Dhe tani, a nuk është Boazi, me rejat e të cilit ke qenë, fisanaku ynë!? Ja, ai është duke shirë eblin në lëmë sonte.
3 Prandaj lahu dhe lyhu me vaj, dhe vish rrobat e tua më të mira. Pastaj zbrit në lëmë, por mos ia zbulo veten atij derisa të ketë mbaruar së ngrëni e së piri.
4 Dhe kur të jetë shtrirë, mëso vendin në të cilin është shtrirë, dhe shko e zbulo këmbët e tij, dhe shtrihu. Pastaj ai do të të tregojë se çfarë duhet të bësh".
5 Dhe Ruta i tha: "Do të bëj gjithçka që më ke thënë".
6 Dhe ajo zbriti në lëmë, dhe bëri gjithçka që e kishte urdhëruar vjehrra e saj.
7 Dhe Boazi hëngri e piu, dhe u kënaq zemra e tij; dhe shkoi për t'u shtrirë në skajin e grumbullit të elbit. Atëherë erdhi Ruta fshehurazi dhe zbuloi këmbët e tij e u shtri.
8 Dhe ndodhi që, nga mesi i natës, ai u drodh, dhe u kthye nga ana tjetër. Dhe ja, një grua ishte shtrirë te këmbët e tij.
9 Dhe ai tha: "Kush je ti?". Dhe ajo tha: "Unë jam Ruta, shërbëtorja jote, prandaj shtrije krahun tënd mbi shërbëtoren tënde sepse ti je shpengues".
10 Dhe ai tha: "Të bekoftë Jahveh-u, bija ime! Besëmirësia jote e fundit është më e madhe se e para, sepse nuk shkove mbas djelmoshave qofshin të varfër apo të pasur.
11 Dhe tani, bija ime, mos ki frikë! Do të bëj për ty gjithçka që do të thuash, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë se ti je një grua e virtytshme.
12 Por tani, megjithëse është e vërtetë që unë jam shpengues, ka edhe një shpengues që është më i afërt se unë.
13 Buj këtu sonte. Por në mëngjes, nëse ai do të të shpengojë, mirë, le të të shpengojë. Por, nëse nuk dëshiron të të shpengojë, atëherë, pasha Jahveh-un, do të të shpengoj unë. Shtrihu këtu deri në mëngjes".
14 Dhe ajo u shtri te këmbët e tij deri në mëngjes, dhe u çua përpara se të dallonte njeriu njeriun. Dhe Boazi tha: "Të mos merret vesh që kjo grua ka ardhur në lëmë".
15 Prandaj i tha: "Më jep mantelin që ke mbi ty dhe mbaje". Dhe ajo e mbajti, dhe ai mati gjashtë efa elbi, dhe i ngarkoi mbi të. Pastaj ai hyri në qytet.
16 Dhe Ruta erdhi te vjehrra e saj, dhe ajo i tha: "Si shkoi, bija ime?". Dhe Ruta i tregoi gjithçka që kishte bërë burri për të.
17 Dhe Ruta tha: "Këto gjashtë efa elbi m'i dha sepse më tha: 'Mos shko duarbosh te vjehrra jote.'"
18 Dhe Noomi i tha: "Rri këtu, bija ime, deri sa të mësosh si do të vejë puna, sepse ai burrë nuk do të mbajë qetësi nëse nuk i ka dhënë fund sot kësaj pune".
Të gjithë librat
