Ruta 2
1 Tani, Naomi kishte një fisanak të burrit të saj, një njeri shumë të pasur, nga farefisi i Elimelekut; dhe emri i tij ishte Boaz.
2 Dhe Ruta, moabitja, i tha Naomit: "Më lër të shkoj në fushë që të mbledh kallinj mbas atij në sytë e të cilit do të gjej hir". Dhe Naomi i tha: "Shko, bija ime!".
3 Dhe Ruta shkoi, dhe u fut që të mblidhte kallinj në fushë mbas korrësve. Dhe rastisi të ndodhej në pjesën e fushës që i përkiste Boazit i cili ishte nga farefisi i Elimelekut.
4 Dhe, ja, Boazi po vinte nga Betlehemi, dhe u tha korrësve: "Jahveh-u me ju!". Dhe ata i thanë: "Jahveh-u të bekoftë!".
5 Pastaj Boazi i tha djaloshit që ishte caktuar të mbikëqyrte korrësit: "E kujt është kjo vajzë?".
6 Dhe iu përgjigj shërbëtori që ishte caktuar të mbikëqyrte korrësit, dhe i tha: "Ajo është vajza moabite që u kthye me Naomin nga fusha e Moabit.
7 Dhe ajo më tha: 'Më lejoni të qëmtoj e të mbledh nëpër demetë mbas korrësve.' Dhe ka ardhur dhe ka qëndruar që nga mëngjesi e deri tani që po rri ulur pak në shtëpi".
8 Atëherë Boazi i tha Rutës: "Dëgjo, bija ime! Mos shko në fushë tjetër për të mbledhur kallinj dhe madje, nuk do të ikësh që këtu, dhe kështu do t'u rrish afër të rejave të mia.
9 Mbaji sytë e tu te fusha të cilën do të korrin dhe shko mbas tyre. A nuk i kam urdhëruar djaloshat e mi që mos të të prekin?! Dhe kur të kesh etje, shko tek enët dhe pi nga uji që do të nxjerrin djaloshat".
10 Atëherë ajo ra me fytyrën përdhe dhe u përkul deri në tokë, dhe i tha: "Përse kam gjetur hir në sytë e tu që të kujdesesh për mua, megjithëse unë jam e huaj?".
11 Dhe Boazi u përgjigj, dhe i tha: "Më kanë treguar me hollësi gjithçka që bëre për vjehrrën tënde mbas vdekjes së burrit tënd, si le atin tënd dhe nënën tënde, dhe vendlindjen tënde për të shkuar te një popull të cilin nuk e kishe njohur më parë.
12 Jahveh-u të shpërbleftë për veprën tënde dhe qoftë paga jote e plotë nga ana e Jahveh-ut, Perëndisë të Izraelit, ngaqë erdhe për t'u strehuar nën krahët e tij".
13 Dhe ajo tha: "Gjetsha hir në sytë e tu, imzot, sepse më ngushëllove dhe sepse i fole zemrës së shërbëtores sate, megjithëse unë nuk jam as si njëra nga shërbëtoret e tua".
14 Dhe, kur erdhi koha e ushqimit, Boazi i tha: "Afrohu këtu dhe ha pak bukë, dhe ngjyeje kafshatën tënde në uthull". Dhe ajo u ul afër korrësve, dhe Boazi i zgjati grurë të pjekur. Dhe ajo hëngri e u ngop, madje i teproi.
15 Pastaj ajo u çua për të mbledhur kallinj. Dhe Boazi urdhëroi djaloshat e tij duke thënë: "Le të mbledhë kallinj edhe midis demetëve, prandaj nuk do ta çnderoni.
16 Dhe gjithashtu, hiqni qëllimisht kallinj për të nga duajtë dhe lërini të bien që t'i mbledhë, por nuk do ta qortoni".
17 Dhe Ruta mblodhi kallinj në fushë deri në mbrëmje, pastaj shiu atë që kishte mbledhur dhe u bë pothuajse një efë elbi.
18 Dhe e ngriti, dhe hyri në qytet; dhe vjehrra e saj e pa atë që kishte mbledhur. Dhe Ruta nxori, dhe i dha asaj atë që kishte i tepruar pasi ajo ishte ngopur.
19 Dhe vjehrra e saj i tha: "Ku mblodhe sot dhe ku punove? Qoftë i bekuar ai që u kujdes për ty!". Dhe Ruta i tregoi vjehrrës së saj me kë kishte punuar; gjithashtu tha: "Emri i burrit me të cilin punova sot është Boaz".
20 Atëherë Naomi i tha nuses së saj: "Ai qoftë i bekuar nga Jahveh-u, ngaqë nuk ka harruar besëmirësinë e tij për të gjallët dhe për të vdekurit!". Gjithashtu Naomi i tha: "Ai njeri është i afërmi ynë, nga shpenguesit tanë është ai".
21 Dhe Ruta, moabitja, tha: "Ai madje më tha: 'Rri afër djaloshave të mi derisa të kenë përfunduar gjithë korrjen që më përket'".
22 Dhe Naomi i tha Rutës, nuses së saj: "Bija ime, është mirë që do të dalësh me të rejat e tij, dhe nuk do të të shtyjnë të shkosh në ndonjë fushë tjetër".
23 Kështu Ruta ndenji afër të rejave të Boazit për të mbledhur kallinj derisa përfundoi korrja e elbit dhe korrja e grurit. Ndërkohë ajo rrinte me vjehrrën e saj.
Të gjithë librat
