Ruta 1
1 Dhe ndodhi që në ditët e qeverisjes së gjyqtarëve ra zi buke në vend, prandaj një burrë nga Betlehemi i Judës shkoi për të banuar si ardhës në fushat e Moabit, ai dhe gruaja e tij, dhe dy bijtë e tij.
2 Dhe emri i burrit ishte Elimelek, dhe emri i gruas së tij ishte Naomi, dhe emrat e dy bijve të tij ishin Mahlon dhe Kilion, efratitë nga Betlehemi i Judës. Dhe ata erdhën në fushat e Moabit, dhe ndenjën atje.
3 Tani, vdiq Elimeleku, burri i Naomit, dhe mbeti ajo e dy bijtë e saj.
4 Këta morën për vete gra moabite: emri i njërës ishte Orpa dhe emri i së dytës, Rutë. Dhe banuan atje rreth dhjetë vjet.
5 Por vdiqën edhe ata të dy, Mahloni dhe Kilioni, dhe mbeti gruaja pa të dy fëmijët e saj, dhe pa burrin e saj.
6 Pastaj u ngrit ajo dhe nuset e saj, dhe u kthyen nga fushat e Moabit, sepse në fushën e Moabit kishte dëgjuar që Jahveh-u e kishte vizituar popullin e tij për t'u siguruar atyre bukë.
7 Dhe doli ajo, dhe të dyja nuset e saj bashkë me të, nga vendi në të cilin kishin qenë. Dhe po ecnin rrugës për t'u kthyer në vendin e Judës,
8 dhe Naomi u tha të dyja nuseve të saj: "Shkoni, kthehuni, secila te shtëpia e nënës së vet! Jahveh-u tregoftë besëmirësi ndaj jush, ashtu siç treguat ju ndaj atyre që kanë vdekur dhe ndaj meje!
9 Dhëntë Jahveh-u që të gjeni prehje, secila në shtëpinë e burrit të vet!". Pastaj i puthi dhe ia dhanë kujës me të madhe.
10 Dhe ato i thanë: "Jo jo, do të kthehemi me ty te populli yt".
11 Dhe Naomi tha: "Kthehuni, bijat e mia! Përse të vini me mua? Mos kam ende bij në barkun tim që mund të bëhen burra për ju?
12 Kthehuni, bijat e mia. Shkoni, sepse jam tepër plakë për të pasur burrë. Sepse them se edhe sikur të kishte shpresë për mua që të kisha sonte një burrë, dhe madje të lindja djem,
13 a do të prisnit, pra, deri sa të rriteshin? A do të përmbaheshit, pra, që të mos keni burrë? Mos, bijat e mia, sepse është shumë më e hidhur për mua sesa për ju, pasi dora e Jahveh-ut u ngrit kundër meje".
14 Atëherë ia dhanë përsëri kujës me të madhe. Pastaj Orpa puthi vjehrrën e saj, kurse Ruta nuk shqitej prej saj.
15 Dhe Naomi i tha: "Ja, kunata jote u kthye te populli i vet dhe te perënditë e veta. Kthehu edhe ti pas kunatës sate!".
16 Por Ruta tha: "Mos më shty të të braktis e të të kthej kurrizin, se kudo që të shkosh, do të shkoj, dhe kudo që të rrish, do të rri. Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im.
17 Kudo që të vdesësh, do të vdes, dhe atje do të varrosem. Kështu ma bëftë Jahveh-u, edhe aq më shumë, sepse vetëm vdekja do të më ndajë prej teje!".
18 Dhe Naomi pa se ajo ishte e vendosur të shkonte me të, dhe ndaloi së foluri me të.
19 Dhe ato të dyja vazhduan rrugën, derisa arritën në Betlehem. Dhe ndodhi që, kur ato po hynin në Betlehem, gjithë qyteti filloi të ziente për shkak të tyre dhe gratë thoshin: "A është kjo Naomi?".
20 Por ajo u tha: "Mos më quani Naomi! Më quani Mara, sepse i Plotfuqishmi më ka hidhëruar shumë.
21 Unë ika duarplot, por Jahveh-u më ktheu duarbosh. Pse më quani Naomi kur Jahveh-u ka dëshmuar kundër meje, kur i Plotfuqishmi më ka dëmtuar?".
22 Kështu, u kthye Naomi, dhe Ruta, moabitja, nusja e saj, e cila ishte kthyer bashkë me të nga fushat e Moabit. Dhe ato erdhën në Betlehem në fillim të korrjes së elbit.
Të gjithë librat
