Letra drejtuar Romakëve 5
1 Prandaj, duke qenë të drejtësuar prej besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht,
2 nëpërmjet të cilit edhe kemi pasur hyrje me anë të besimit në këtë hir në të cilin qëndrojmë; dhe ne mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.
3 E jo vetëm kaq, por mburremi edhe në mundime, duke ditur se mundimi prodhon qëndresë
4 dhe qëndresa karakter të provuar, dhe karakteri i provuar shpresë.
5 Dhe shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona nëpërmjet Frymës së Shenjtë, i cili na u dha neve.
6 Se ndërsa ne ishim ende të dobët, Krishti vdiq në kohën e caktuar për të papërshpirtshmit.
7 Njëmend, vështirë se vdes dikush për një të drejtë (ndonëse për të mirin, ndoshta, dikush edhe guxon të vdesë),
8 por Perëndia e nxjerr në pah dashurinë e vet ndaj nesh në atë që, ndërsa ne ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
9 Shumë më tepër, pra, duke qenë të drejtësuar tani me anë të gjakut të tij, do të shpëtohemi nga zemërimi i Perëndisë nëpërmjet tij.
10 Sepse, nëse duke qenë armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, shumë më tepër duke qenë të pajtuar do të shpëtohemi me anë të jetës së tij.
11 E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, nëpërmjet të cilit morëm tani pajtimin.
12 Për këtë arsye, sikurse nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe nëpërmjet mëkatit vdekja, dhe kështu vdekja kaloi te të gjithë njerëzit, për shkak se të gjithë mëkatuan;
13 sepse deri në ardhjen e Ligjit mëkati ishte në botë, por mëkati nuk llogaritet kur nuk ka Ligj.
14 Prapëseprapë vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan në të njëjtën mënyrë shkeljeje si e Adamit, i cili është tip i atij që vjen.
15 Mirëpo dhurata e hirit nuk është ashtu si shkelja, sepse nëse prej shkeljes së njërit të shumtët vdiqën, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurimi me anë të hirit të një njeriu të vetëm, Jezu Krishtit, mbushulloi për të shumtët.
16 Dhe kjo dhuratë nuk është si ajo që ndodhi nëpërmjet atij një që mëkatoi, sepse, nga njëra anë, gjykimi që erdhi prej një shkeljeje, çoi në dënim, ndërsa, nga ana tjetër, dhurata e hirit që erdhi prej shumë shkeljesh, çoi në drejtësim.
17 Se nëse prej shkeljes së njërit, vdekja mbretëroi nëpërmjet njërit, shumë më tepër ata që marrin mbushullinë e hirit dhe të dhurimit të drejtësisë, do të mbretërojnë në jetë nëpërmjet njërit, Jezu Krishtit.
18 Rrjedhimisht, pra, ashtu si nëpërmjet veç një shkeljeje përfundimi qe në dënim për të gjithë njerëzit, kështu edhe nëpërmjet veç një vepre të drejtë përfundimi është në drejtësim jete për të gjithë njerëzit.
19 Se sikurse nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, të shumtët u caktuan mëkatarë, kështu edhe nëpërmjet bindjes së njërit, të shumtët do të caktohen të drejtë.
20 Tani, Ligji ndërhyri që të shumonte shkelja, por aty ku shumoi mëkati, hiri stërmbushulloi,
21 që sikurse mbretëroi mëkati me anë të vdekjes, kështu edhe hiri të mbretërojë nëpërmjet drejtësisë për jetë të përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.
Të gjithë librat
