Letra drejtuar Romakëve 3
1 Cila, pra, është përparësia e judeut? Apo cili është përfitimi i rrethprerjes?
2 I madh nga çdo pikëpamje. Së pari, sepse judenjve iu besuan thëniet e Perëndisë.
3 Se çfarë ka nëse disa nuk besuan? Mos vallë mosbesimi i tyre do ta shfuqizojë besën e Perëndisë?
4 Kurrë mos qoftë! Por Perëndia të jetë i vërtetë, ndërsa çdo njeri gënjeshtar, ashtu siç është shkruar: "Me qëllim që të përligjesh në fjalët e tua dhe të dalësh fitues në të gjykuarit tënd".
5 Por nëse padrejtësia jonë nxjerr në pah drejtësinë e Perëndisë, çfarë do të themi? Mos është i padrejtë Perëndia që sjell zemërimin? (Po flas si njeri.)
6 Kurrë mos qoftë! Përndryshe, si do ta gjykojë Perëndia botën?
7 Sepse, nëse me anë të gënjeshtrës sime, e vërteta e Perëndisë mbushulloi për lavdinë e tij, pse unë edhe po gjykohem ende si mëkatar?
8 Dhe pse të mos themi (ashtu si përflitemi e si thonë disa për ne se themi): "Të bëjmë të këqijat, me qëllim që të vijnë të mirat"? Gjykimi i të tillëve është i merituar!
9 Çfarë, pra? A kemi epërsi? Jo, aspak! Sepse më parë i paditëm qoftë judenjtë e qoftë helenët se të gjithë janë nën mëkat,
10 ashtu siç është shkruar: "Nuk ka asnjë të drejtë, as edhe një,
11 nuk ka asnjë që kupton, nuk ka asnjë që kërkon Perëndinë.
12 Të gjithë u shmangën nga udha, bashkërisht u bënë të pavlerë; nuk ka asnjë që bën mirësi, nuk ka as edhe një".
13 "Varr i hapur është gryka e tyre, me gjuhët e tyre thurnin mashtrime, helm nepërkash ka nën buzët e tyre".
14 "Goja e të cilëve është mbushur me mallkim dhe hidhësi".
15 "Të shpejta janë këmbët e tyre për të derdhur gjak,
16 rrënim dhe mjerim ka në rrugët e tyre,
17 dhe udhën e paqes nuk e njohën".
18 "Nuk ka frikë Perëndie përpara syve të tyre".
19 Tani, ne e dimë se gjithë sa thotë Ligji, e flet për ata që janë nën Ligj, që çdo gojë të mbyllet dhe gjithë bota të bëhet llogaridhënëse ndaj Perëndisë;
20 ngaqë prej veprave të Ligjit nuk do të drejtësohet asnjë mish përpara tij, sepse nëpërmjet Ligjit vjen vetëm njohja e qartë e mëkatit.
21 Por tani, pavarësisht nga Ligji, është shfaqur drejtësia e Perëndisë (e dëshmuar nga Ligji dhe Profetët) –
22 domethënë drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë dhe mbi të gjithë ata që besojnë (sepse nuk ka dallim,
23 se të gjithë mëkatuan dhe u mungon lavdia e Perëndisë),
24 duke qenë të drejtësuar falas me hirin e tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus;
25 të cilin Perëndia e paraqiti si vendshlyerje në gjakun e tij, të arritshëm nëpërmjet besimit, për dëftim të drejtësisë së tij, për shkak të kapërcimit të mëkatimeve që qenë bërë më përpara,
26 gjatë durueshmërisë së Perëndisë, për dëftim të drejtësisë së tij në kohën e tanishme; që ai të jetë i drejtë dhe drejtësues i atij që është prej besimit në Jezusin.
27 Ku është, pra, mburrja? U përjashtua! Nëpërmjet cilit ligj? Atij të veprave? Jo, jo, por nëpërmjet ligjit të besimit.
28 Ne mendojmë, pra, që njeriu drejtësohet nëpërmjet besimit, pavarësisht nga veprat e Ligjit.
29 Apo Perëndia është vetëm i judenjve? Por a nuk është edhe i kombeve? Po, është edhe i kombeve,
30 përderisa është një i vetëm Perëndia, i cili do ta drejtësojë të rrethprerin prej besimit dhe të parrethprerin nëpërmjet besimit.
31 Atëherë, vallë e shfuqizojmë Ligjin nëpërmjet besimit? Kurrë mos qoftë! Përkundrazi, e përforcojmë Ligjin.
Të gjithë librat
