Letra drejtuar Romakëve 2
1 Prandaj, o njeri, je i pashfajësueshëm kushdo qofsh ti që gjykon, se në atë që gjykon tjetrin, ti dënon veten tënde, sepse të njëjtat gjëra i praktikon ti që gjykon.
2 Tani, ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që praktikojnë gjëra të tilla.
3 Por a mendon ti, o njeri që gjykon ata që praktikojnë gjëra të tilla dhe që i bën vetë të njëjtat gjëra, se ti do t'i ikësh gjykimit të Perëndisë?
4 Apo e përçmon pasurinë e mirësisë së tij dhe të durueshmërisë e të durimit, duke mos e ditur se mirësia e Perëndisë të çon në pendim?
5 Por për shkak të ngurtësisë sate dhe të një zemre të papenduar, po grumbullon për veten tënde zemërim për në ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë,
6 i cili do të shpërblejë secilin sipas veprave të veta:
7 nga njëra anë, atyre që me ngulmim në vepra të mira kërkojnë lavdi dhe nder e paprishshmëri, do t'u japë jetë të përjetshme;
8 nga ana tjetër, atyre që kanë ambicie egoiste dhe që nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, do t'u japë tërbim dhe zemërim.
9 Mundim dhe ngushticë do të ketë mbi çdo shpirt njeriu që kryen të keqen, qoftë judeut, së pari, e qoftë helenit;
10 por lavdi dhe nder e paqe për çdokënd që bën të mirën, qoftë judeut, së pari, e qoftë helenit.
11 Sepse nuk ka anësi te Perëndia.
12 Njëmend, gjithë sa mëkatuan pa Ligj, pa Ligj edhe do të humbasin; dhe gjithë sa mëkatuan nën Ligj, nëpërmjet Ligjit do të gjykohen.
13 Se nuk janë të drejtë para Perëndisë dëgjuesit e Ligjit, por do të drejtësohen zbatuesit e Ligjit.
14 Se kur kombet që nuk kanë Ligj, bëjnë prej natyre gjërat e Ligjit, këta, duke mos pasur Ligj, janë ligj për vetveten.
15 Ata tregojnë veprën e Ligjit të shkruar në zemrat e tyre, ndërsa bashkëdëshmon ndërgjegjja e tyre dhe ndërsa, midis tyre, mendimet i paditin apo edhe i shfajësojnë
16 në ditën kur Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve, sipas ungjillit tim, nëpërmjet Jezu Krishtit.
17 Ja, ti quhesh judé dhe mbështetesh në Ligjin, dhe mburresh në Perëndinë,
18 dhe njeh vullnetin e tij, dhe aprovon gjërat që vlejnë, duke qenë i mësuar prej Ligjit,
19 dhe ke bindur veten tënde se je udhëheqës i të verbërve, dritë për ata në errësirë,
20 korrigjues i të pamendëve, mësues i foshnjave, duke pasur në Ligj formësimin e njohurisë dhe të së vërtetës –
21 ti, pra, që mëson tjetrin, nuk mëson veten tënde? Ti që predikon për të mos vjedhur, vjedh?
22 Ti që thua për të mos bërë kurorëshkelje, bën kurorëshkelje? Ti që ke neveri idhujt, plaçkit tempuj?
23 Ti i cili mburresh në Ligj, çnderon Perëndinë përmes shkeljes së Ligjit?
24 Sepse "Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet ndër kombet", ashtu siç është shkruar.
25 Se, vërtet, rrethprerja bën dobi po ta zbatosh Ligjin, por po të jesh shkelës i Ligjit, rrethprerja jote është bërë parrethprerje.
26 Prandaj, po të mbajë parrethprerja kërkesat e drejta të Ligjit, a nuk do të llogaritet parrethprerja e tij për rrethprerje?
27 Dhe parrethprerja prej natyre, që e përmbush Ligjin, do të të gjykojë ty që, megjithëse me shkronjën e Ligjit dhe me rrethprerjen, je shkelës i Ligjit.
28 Sepse nuk është judé ai nga jashtë dhe as nuk është rrethprerje ajo nga jashtë, në mish.
29 Përkundrazi, judé është ai nga brenda dhe rrethprerje është ajo e zemrës, në Frymë, jo në shkronjë; dhe lavdërimi i tij nuk është prej njerëzve, po prej Perëndisë.
Të gjithë librat
