Letra drejtuar Romakëve 13
1 Çdo njeri t'u nënshtrohet pushteteve të sipërme, sepse nuk ka pushtet përveçse nga Perëndia dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.
2 Kështu që, ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhrit të Perëndisë; dhe ata që kundërvihen, do të marrin gjykim mbi veten e tyre.
3 Se krerët nuk janë për t'u pasur frikë për veprat e mira, por për të këqijat. Tani, a dëshiron që të mos kesh frikë pushtetin? Bëj të mirën dhe do të kesh lavdërim prej tij,
4 sepse ai është shërbëtor i Perëndisë ndaj teje për të mirë. Por po të bësh të keqen, frikësohu, sepse ai nuk e mban kot shpatën; se është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës për të sjellë zemërim ndaj atij që praktikon të keqen.
5 Prandaj është e nevojshme për t'iu nënshtruar jo vetëm për shkak të zemërimit, por edhe për shkak të ndërgjegjes.
6 Njëmend, për këtë arsye ju paguani edhe tatime, sepse ata janë shërbesëtarë të Perëndisë duke u përkushtuar në vetë këtë gjë.
7 Jepuni, pra, të gjithëve detyrimet: atij që i takon tatimi, tatimin; atij që i takon taksa, taksën; atij që i takon frika, frikën; atij që i takon nderimi, nderimin.
8 Askujt mos i kini detyrim asgjë, përveçse për ta dashur njëri-tjetrin; sepse ai që do tjetrin, e ka përmbushur Ligjin.
9 Se kjo: "Nuk do të bësh kurorëshkelje, nuk do të vrasësh, nuk do të vjedhësh, nuk do të bësh dëshmi të rreme, nuk do të dëshirosh" (dhe nëse ka ndonjë tjetër urdhërim), përmblidhet në këtë fjalë: që "Do ta duash të afërmin tënd si vetveten".
10 Dashuria nuk i bën të keqe të afërmit, prandaj përmbushja e Ligjit është dashuria.
11 Dhe këtë bëjeni duke ditur kohën, se tashmë është ora që ne të çohemi prej gjumit; sepse tani shpëtimi ynë është më afër sesa kur besuam.
12 Nata shkoi dhe dita është afruar. Të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës.
13 Të ecim me dinjitet si ditën, jo në ahengje dhe dehje, jo në imoralitet dhe shthurje, jo në grindje dhe xhelozi.
14 Përkundrazi, vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos parashikoni për mishin për t'ia plotësuar dëshirimet.
Të gjithë librat
