Letra drejtuar Romakëve 10
1 Vëllezër! Pikërisht gjakimi i zemrës sime dhe përgjërimi im ndaj Perëndisë për Izraelin është për shpëtimin e tij.
2 Se unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas një njohjeje të saktë.
3 Sepse duke mos e njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar që të vendosnin drejtësinë vetjake, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë.
4 Se fundi i Ligjit është Krishti, për drejtësi ndaj çdokujt që beson.
5 Njëmend, Moisiu shkruan për drejtësinë që është prej Ligjit: "Njeriu që i bën ato gjëra, do të jetojë me anë të tyre".
6 Por drejtësia prej besimit thotë kështu: "Të mos thuash në zemrën tënde: 'Kush do të ngjitet në qiell?' (domethënë, për ta zbritur Krishtin),
7 apo 'Kush do të zbresë në Abis?' (domethënë, për ta sjellë lart Krishtin prej të vdekurve)".
8 Por çfarë thotë? "Afër teje është fjala, në gojën tënde dhe në zemrën tënde" (domethënë, fjala e besimit të cilën e predikojmë).
9 Se po të rrëfesh me gojën tënde Jezusin si Zoti dhe po të besosh me zemrën tënde se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, do të shpëtohesh;
10 sepse me zemër besohet për drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim.
11 Se Shkrimi thotë: "Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet".
12 Se nuk ka dallim ndërmjet judeut dhe helenit, sepse i njëjti Zot është Zot i të gjithëve, duke qenë i pasur ndaj të gjithëve atyre që e thërrasin;
13 se "kushdo që do të thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet".
14 Atëherë, si do të thërrasin drejt atij të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë atë për të cilin nuk dëgjuan? Dhe si do të dëgjojnë pa dikë që predikon?
15 Dhe si do të predikojnë po të mos jenë dërguar? Ashtu siç është shkruar: "Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin si lajm të mirë paqe, që shpallin si lajm të mirë gjëra të mira!".
16 Por jo të gjithë iu bindën Lajmit të Mirë, sepse Isaia thotë: "O Zot, kush i besoi kumtimit tonë?".
17 Si rrjedhim, besimi vjen prej dëgjimit dhe dëgjimi vjen nëpërmjet fjalës së Perëndisë.
18 Por unë them: Mos nuk dëgjuan?! Përkundrazi, dëgjuan! "Në gjithë tokën doli zëri i tyre; dhe në skajet e botës së banuar shkuan fjalët e tyre".
19 Por unë them: Mos nuk kuptoi Izraeli?! I pari Moisiu thotë: "Unë do t'ju bëj xhelozë për një komb që nuk është komb; për një komb të paaftë për të kuptuar do t'ju bëj të zemëroheni".
20 Dhe Isaia guxon shumë e thotë: "U gjeta prej atyre që nuk më kërkojnë; iu bëra i dukshëm atyre që nuk pyesin për mua".
21 Por në lidhje me Izraelin thotë: "Tërë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli që nuk bindet dhe që kundërshton".
Të gjithë librat
