Letra drejtuar Romakëve 8
1 Si rrjedhim, tani nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës,
2 sepse ligji i Frymës së jetës në Krishtin Jezus më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.
3 Sepse çfarë ishte e pamundur për Ligjin, në atë që ishte i dobët për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar Birin e vet në ngjashmëri mishi mëkatar dhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish,
4 që kërkesa e drejtë e Ligjit të përmbushej në ne të cilët nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.
5 Se ata që janë sipas mishit, e kanë mendjen te gjërat e mishit; ndërsa ata sipas Frymës, e kanë mendjen te gjërat e Frymës.
6 Se mendësia e mishit është vdekje, por mendësia e Frymës është jetë dhe paqe,
7 ngaqë mendësia e mishit është armiqësi ndaj Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet Ligjit të Perëndisë dhe sepse as nuk mundet;
8 dhe ata që janë në mish, nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë.
9 Por ju nuk jeni në mish, por në Frymë, nëse vërtet Fryma e Perëndisë banon në ju. Por nëse dikush nuk e ka Frymën e Krishtit, ai nuk është i tij.
10 Por nëse Krishti është në ju, vërtet trupi është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë.
11 E nëse Fryma i atij që ngjalli Jezusin prej të vdekurve banon në ju, ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do të bëjë të gjallë edhe trupat tuaj të vdekshëm, nëpërmjet Frymës së tij që banon në ju.
12 Rrjedhimisht, pra, vëllezër, jemi borxhlinj jo ndaj mishit, për të jetuar sipas mishit.
13 Se nëse jetoni sipas mishit, keni për të vdekur, por nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprimtaritë e trupit, do të jetoni.
14 Se gjithë ata që udhëhiqen prej Frymës së Perëndisë, këta janë bij të Perëndisë.
15 Se ju nuk morët një frymë skllavërie, për të pasur përsëri frikë, por morët Frymën e birësimit, me anë të të cilit thërrasim: Abba, o Atë!
16 Vetë Fryma dëshmon bashkë me frymën tonë se jemi fëmijë të Perëndisë.
17 E nëse jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë, nga njëra anë, dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nga ana tjetër, nëse vërtet vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë me të.
18 Se unë mendoj që vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë të krahasohen me lavdinë që është gati për të na u zbuluar.
19 Se pritshmëria e ethshme e krijimit pret me padurim zbulesën e bijve të Perëndisë;
20 sepse krijimi iu nënshtrua kotësisë (jo vullnetarisht, por për shkak të atij që e nënshtroi), me shpresë
21 se edhe vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e prishjes, për të hyrë në lirinë e lavdisë së fëmijëve të Perëndisë.
22 Njëmend, ne e dimë se i gjithë krijimi deri më tani psherëtin bashkë dhe shtërzon bashkë.
23 E jo vetëm ai, por edhe ne vetë, duke pasur frytin e parë të Frymës; edhe ne vetë, pra, psherëtijmë në veten tonë, duke pritur me padurim birësimin, shpengimin e trupave tanë.
24 Sepse me shpresë u shpëtuam; por shpresa që shihet, nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh, pse edhe e shpreson?
25 Por, nëse shpresojmë atë që nuk e shohim, atëherë e presim me padurim, përmes qëndrueshmërie.
26 E po ashtu edhe Fryma u vjen në ndihmë dobësive tona, sepse ne nuk e dimë se për çfarë të lutemi ashtu si duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne psherëtima të pashqiptueshme.
27 Por ai që heton zemrat e di cila është mendësia e Frymës, sepse ndërhyn sipas vullnetit të Perëndisë për shenjtorët.
28 Dhe ne e dimë se për ata që e duan Perëndinë, të gjitha bashkëveprojnë për të mirë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.
29 Sepse ata të cilët i paranjohu, edhe i paracaktoi të jenë të një forme me shëmbëllesën e Birit të tij, për të qenë ai i parëlinduri ndër shumë vëllezër.
30 Dhe ata të cilët i paracaktoi, këta edhe i thirri; dhe ata të cilët i thirri, këta edhe i drejtësoi; dhe ata të cilët i drejtësoi, këta edhe i përlëvdoi.
31 Çfarë do të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është për ne, kush mund të jetë kundër nesh?
32 Ai që vërtet nuk e kurseu Birin e vet, por e dorëzoi për ne të gjithë, si nuk do të na dhurojë hirësisht bashkë me të edhe të gjitha gjërat?
33 Kush do të ngrejë akuzë kundër të zgjedhurve të Perëndisë? Perëndia është ai që drejtëson.
34 Kush është ai që dënon? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër edhe ai që u ngjall, dhe i cili është në të djathtë të Perëndisë, dhe i cili ndërhyn për ne.
35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mundimi apo ngushtica, apo përndjekja, apo zia e bukës, apo zhveshja, apo rreziku, apo shpata?
36 Ashtu siç është shkruar: "Për shkakun tënd po çohemi në vdekje tërë ditën; u llogaritëm si dele për therje".
37 Por në këto të gjitha ne stërfitojmë nëpërmjet atij që na deshi!
38 Se jam i bindur që as vdekje, as jetë, as engjëj, as parí, as fuqi, as gjëra të tanishme, as gjëra që vijnë,
39 as lartësi, as thellësi, as ndonjë gjë tjetër e krijuar, nuk do të mundet të na ndajë nga dashuria e Perëndisë, ajo në Krishtin Jezus, Zotin tonë.
Të gjithë librat
