Letra drejtuar Romakëve 1
1 Pali, skllav i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë,
2 të cilin e premtoi më përpara nëpërmjet profetëve të tij në Shkrimet e Shenjta
3 dhe që ka të bëjë me Birin e tij, që u lind prej farës së Davidit, sipas mishit,
4 që u caktua Bir i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë, prej ringjalljes nga të vdekurit, Jezu Krishtin, Zotin tonë,
5 nëpërmjet të cilit morëm hir dhe apostullim, për të sjellë bindjen e besimit ndër të gjitha kombet për hir të emrit të tij,
6 ndër të cilat jeni edhe ju të thirrur të Jezu Krishtit;
7 të gjithëve atyre që janë në Romë, të dashur nga Perëndia, të thirrur për të qenë shenjtorë: hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
8 Së pari, falënderoj Perëndinë tim nëpërmjet Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse besimi juaj po shpallet në tërë botën.
9 Njëmend, Perëndia të cilit i ofroj shërbesë në frymën time në ungjillin e Birit të tij, është dëshmitari im se si pandërprerë ju përmend
10 gjithmonë në lutjet e mia, duke u përgjëruar se mbase, tashmë, më në fund do të më prihet mbarë në vullnetin e Perëndisë, për të ardhur te ju.
11 Sepse dëshiroj fort për t'ju parë, me qëllim që të ndaj me ju ndonjë dhunti frymërore, që ju të forcoheni,
12 domethënë që të marrim zemër bashkërisht ndërsa jam ndër ju, nëpërmjet besimit të njëri-tjetrit, qoftë tuajin dhe timin.
13 Tani, nuk dua që ju të jeni të paditur, vëllezër, se shpeshherë e vura si qëllim për të ardhur te ju (dhe u pengova deri tani), që të kisha ndonjë fryt edhe ndër ju, ashtu siç kam pasur edhe ndër kombet e tjera.
14 Unë u jam borxhli qoftë helenëve dhe barbarëve, qoftë të urtëve dhe të pamendëve.
15 Kështu, për sa më përket mua, jam i gatshëm që t'ju shpall ungjillin edhe juve që jeni në Romë.
16 Se unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtim të çdokujt që beson, qoftë të judeut, së pari, e qoftë të helenit.
17 Sepse drejtësia e Perëndisë zbulohet në të prej besimit në besim, ashtu siç është shkruar: "por i drejti prej besimit do të jetojë".
18 Se zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli mbi çdo papërshpirtëri dhe padrejtësi të njerëzve, që e ndrydhin të vërtetën në padrejtësi,
19 ngaqë çfarë mund të njihet për Perëndinë, është e dukshme në ta, sepse Perëndia ua bëri të dukshme.
20 Se cilësitë e padukshme të tij, qoftë fuqia e tij e përhershme dhe qoftë hyjnishmëria e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, duke qenë të kuptueshme prej të bërave të tij, që kështu ata të jenë të pashfajësueshëm.
21 Ngaqë, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e lëvduan si Perëndi, as e falënderuan, përkundrazi, u bënë të kotë në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e paaftë për të kuptuar u errësua.
22 Duke pohuar se janë të urtë, u marrosën
23 dhe e ndryshuan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në ngjashmëri shëmbëllese njeriu të prishshëm dhe shpendësh, dhe katërkëmbëshash, dhe zvarranikësh.
24 Prandaj edhe Perëndia i dorëzoi ata në dëshirimet e zemrave të tyre për papastërti, që të çnderojnë trupat e tyre mes tyre;
25 ata të cilët e këmbyen të vërtetën e Perëndisë me gënjeshtrën dhe përnderuan e i ofruan shërbesë krijimit në vend të Krijuesit, i cili është i bekuar në shekuj. Amen!
26 Për këtë arsye, Perëndia i dorëzoi ata në pasione çnderimi, sepse edhe femrat e tyre e këmbyen marrëdhënien natyrore për atë kundër natyre;
27 e po kështu edhe meshkujt, duke e lënë marrëdhënien natyrore me femrën, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer paturpësi meshkuj me meshkuj dhe duke marrë në veten e tyre shpagimin e duhur të përdaljes së tyre.
28 Dhe ngaqë nuk e panë me vlerë për të pasur një njohje të vërtetë të Perëndisë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të pavlerë, për të bërë ato që nuk duhet,
29 duke qenë të mbushur me çdo padrejtësi, kurvëri, ligësi, lakmi, të keqe; plot smirë, vrasje, grindje, dredhi, keqdashje; përgojues,
30 përfolës, urryes të Perëndisë, të dhunshëm, krenarë, mburravecë, shpikës të këqijash, të pabindur ndaj prindërve,
31 të paaftë për të kuptuar, të pabesë, të pandjeshëm, të papajtueshëm, të pamëshirshëm.
32 Ata, megjithëse e njohën mirë urdhëresën e drejtë të Perëndisë: se ata që praktikojnë gjëra të tilla meritojnë vdekje, jo vetëm i bëjnë ato, por edhe miratojnë ata që i praktikojnë.
Të gjithë librat
