Letra drejtuar Romakëve 9
1 Po them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej (ndërsa dëshmon bashkë me mua ndërgjegjja ime në Frymën e Shenjtë),
2 se unë kam një trishtim të madh dhe një sëmbim të pandërprerë në zemrën time.
3 Sepse do të lutesha të isha unë vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për hir të vëllezërve të mi, të bashkëkombësve të mi sipas mishit,
4 të cilët janë izraelitë dhe të cilëve u përkasin birësimi dhe lavdia, dhe besëlidhjet, dhe ligjdhënia, dhe shërbesa e kultit, dhe premtimet;
5 të të cilëve janë etërit dhe prej të cilëve erdhi Krishti, sipas mishit, ai që është mbi të gjitha gjërat Perëndi i bekuar në shekuj. Amen!
6 Por kjo nuk do të thotë se ka rënë poshtë fjala e Perëndisë; sepse jo të gjithë ata prej Izraelit janë vetë këta Izrael,
7 dhe as sepse janë pasardhje e Abrahamit, janë të gjithë fëmijë të tij; përkundrazi: "Në Isakun do të quhet pasardhja jote".
8 Kjo do të thotë se nuk janë fëmijët e mishit vetë këta fëmijë të Perëndisë, por fëmijët e premtimit llogariten për pasardhje.
9 Sepse fjala e premtimit është kjo: "Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një djalë".
10 E jo vetëm kjo, por edhe Rebekës, kur u ngjiz prej një burri, Isakut, atit tonë
11 (se akoma pa u lindur binjakët dhe pa bërë diçka të mirë apo të keqe, që të mbetej qëllimi i Perëndisë sipas zgjedhjes,
12 pra jo prej veprash, po prej atij që thërret), iu tha asaj: "Më i madhi do t'i shërbejë më të voglit",
13 ashtu siç është shkruar: "Jakobin e desha, por Esaun e urreva".
14 Çfarë do të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Kurrë mos qoftë!
15 Sepse ai i thotë Moisiut: "Do të mëshiroj këdo që të mëshiroj dhe do të kem dhembshuri për këdo që të kem dhembshuri".
16 Rrjedhimisht, pra, nuk varet nga ai që dëshiron dhe as nga ai që vrapon, por nga Perëndia që mëshiron.
17 Se Shkrimi i thotë Faraonit: "Pikërisht për këtë të ngrita, me qëllim që të tregoja në ty fuqinë time dhe me qëllim që të shpallej emri im në të gjithë tokën".
18 Rrjedhimisht, pra, Perëndia atë që dëshiron, e mëshiron dhe atë që dëshiron, e ngurtëson.
19 Atëherë ti do të më thuash: "Pse, pra, ai ende fajëson?! Se vullnetit të tij kush i kundërvihet?!".
20 Përkundrazi, ti kush je, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? Mos vallë do t'i thotë e plazmuara atij që e plazmoi: "Pse më bëre kështu?".
21 Apo ndoshta nuk ka pushtet poçari mbi argjilën për të bërë prej të njëjtit brumë njërën enë për nderim, tjetrën jo për nderim?
22 Po çfarë nëse Perëndia, duke dashur që të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur fuqinë e tij, mbajti me shumë durim enët e zemërimit, që qenë përgatitur për shkatërrim,
23 si dhe me qëllim që të bëjë të njohur pasurinë e lavdisë së tij mbi enët e mëshirës, të cilat i bëri gati më përpara për lavdi,
24 pra ne të cilët edhe na thirri, jo vetëm prej judenjve, por edhe prej kombeve?
25 Siç edhe thotë në Hosean: "Atë që nuk ishte populli im, do ta thërras 'populli im'; dhe atë që nuk ishte e dashur, do ta thërras 'e dashur'.
26 Dhe do të ndodhë që, në vendin ku iu tha atyre: 'Nuk jeni ju populli im', atje ata do të thirren 'bij të Perëndisë së gjallë'".
27 Dhe Isaia bërtet lidhur me Izraelin: "Edhe po të jetë numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja do të shpëtohet.
28 Sepse Zoti do të bëjë që fjala e tij mbi tokë të kryhet dhe t'i jepet fund".
29 Dhe ashtu siç ka parathënë Isaia: "Sikur Zoti Sabaoth të mos na linte pasardhje, si Sodoma do të ishim bërë dhe si Gomorra do të ngjasonim".
30 Çfarë do të themi, pra? Se kombet që nuk ndjekin drejtësinë, e mbërritën drejtësinë, madje drejtësinë që është prej besimit;
31 ndërsa Izraeli, duke ndjekur një ligj drejtësie, nuk arriti në atë ligj.
32 Përse? Sepse nuk kërkuan ta arrinin prej besimit, por si të ishte prej veprash. Ata u penguan në gurin e pengesës,
33 ashtu siç është shkruar: "Ja, po vë në Sion një gur pengese dhe një shkëmb shkandulli; dhe ai që beson në të, nuk do të turpërohet".
Të gjithë librat
