Letra drejtuar Romakëve 7
1 Apo nuk e dini, vëllezër (se po u flas atyre që e njohin Ligjin), se Ligji zotëron mbi njeriun për aq kohë sa jeton?
2 Sepse gruaja e martuar është e lidhur me Ligj me burrin sa ai është gjallë; por po të vdesë burri, është e zgjidhur nga ligji i burrit.
3 Rrjedhimisht, pra, ndërsa jeton burri i vet, po t'i përkasë një burri tjetër, do të quhet kurorëshkelëse; por po të vdesë burri i vet, është e lirë nga Ligji, që ajo, duke i përkitur një burri tjetër, të mos jetë kurorëshkelëse.
4 Prandaj, vëllezërit e mi, edhe ju u bëtë të vdisni ndaj Ligjit, nëpërmjet trupit të Krishtit, që ju t'i përkisni një tjetri, atij që u ngjall prej të vdekurve, me qëllim që të japim fryt për Perëndinë.
5 Se kur ishim në mish, pasionet mëkatare që nxiteshin nëpërmjet Ligjit, vepronin në gjymtyrët tona për të dhënë fryt për vdekjen.
6 Por tani u zgjidhëm nga Ligji, duke vdekur ndaj atij nga i cili mbaheshim lidhur, që kështu ne të shërbejmë në risi Fryme dhe jo në vjetërsi shkronje.
7 Çfarë do të themi, pra? A është Ligji mëkat? Kurrë mos qoftë! Përkundrazi, mëkatin nuk e njoha ndryshe përveçse nëpërmjet Ligjit. Se, vërtet, dëshirimin nuk do ta njihja sikur Ligji të mos thoshte: "nuk do të dëshirosh".
8 Por mëkati, duke kapur rastin nëpërmjet urdhërimit, prodhoi në mua çdo dëshirim; sepse pa Ligj, mëkati është i vdekur.
9 Tani, unë jetoja dikur pa Ligj, por ndërsa erdhi urdhërimi, mëkati mori jetë
10 dhe unë vdiqa; dhe urdhërimi, ai që u dha për jetë, ky u gjend të jetë ndaj meje për vdekje.
11 Se mëkati, duke kapur rastin nëpërmjet urdhërimit, më mashtroi dhe nëpërmjet tij më vrau.
12 Kështu që Ligji vërtet është i shenjtë dhe urdhërimi i shenjtë, dhe i drejtë, dhe i mirë.
13 Atëherë, e mira u bë për mua vdekje? Kurrë mos qoftë! Por mëkati, me qëllim që të duket mëkat, prodhoi për mua vdekje nëpërmjet së mirës, me qëllim që mëkati të bëhej tej mase i mëkatshëm nëpërmjet urdhërimit.
14 Njëmend, ne e dimë se Ligji është frymëror, por unë jam mishtor, i shitur nën mëkatin.
15 Se unë nuk e kuptoj atë që kryej; sepse atë që dua, nuk e praktikoj, ndërsa atë që urrej, e bëj.
16 Por nëse bëj atë që nuk dua, pohoj bashkë me Ligjin se ai është i mirë.
17 Por tani nuk jam më unë që e kryej atë, por mëkati që banon në mua.
18 Se e di që në mua, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë, sepse dëshira është e pranishme në mua, por kryerja e së mirës nuk është.
19 Sepse të mirën që dua, nuk e bëj, ndërsa të keqen që nuk dua, atë e praktikoj.
20 Tani, nëse bëj atë që nuk dua, nuk jam më unë që e kryej atë, por mëkati që banon në mua.
21 Si rrjedhim, në mua që dua të bëj të mirën, unë gjej këtë ligj: në mua është e pranishme e keqja.
22 Sepse unë pajtohem me kënaqësi me Ligjin e Perëndisë, sipas njeriut të brendshëm,
23 por shoh një ligj të ndryshëm në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën rob në ligjin e mëkatit, që është në gjymtyrët e mia.
24 Sa njeri i mjerë jam unë! Kush do të më çlirojë prej trupit të kësaj vdekjeje?!
25 Qoftë falënderuar Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë! Rrjedhimisht, pra, unë vetë, nga njëra anë, me mendjen i shërbej Ligjit të Perëndisë, por, nga ana tjetër, me mishin ligjit të mëkatit.
Të gjithë librat
