Letra drejtuar Romakëve 6
1 Çfarë do të themi, pra? Të vazhdojmë në mëkat me qëllim që të shumohet hiri?
2 Kurrë mos qoftë! Ne të cilët vdiqëm për sa i përket mëkatit, si do të jetojmë ende në të?
3 Apo nuk e dini se gjithë sa u pagëzuam në Krishtin Jezus, u pagëzuam në vdekjen e tij?
4 U varrosëm, pra, bashkë me të nëpërmjet pagëzimit në vdekje, që sikurse u ngjall Krishti prej të vdekurve nëpërmjet lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risi jete.
5 Se nëse jemi bërë bashkë me të në ngjashmëri të vdekjes së tij, sigurisht do të jemi edhe në ngjashmëri të ringjalljes së tij;
6 duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u bashkëkryqëzua me të, me qëllim që të shfuqizohet trupi i mëkatit, që ne të mos jemi më skllevër të mëkatit
7 (sepse ai që vdiq, është liruar nga mëkati).
8 Tani, nëse vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me të,
9 duke ditur se Krishti, ngaqë u ngjall prej të vdekurve, nuk vdes më; vdekja nuk e zotëron më.
10 Njëmend, në atë që vdiq, vdiq për sa i përket mëkatit një herë e përgjithmonë, por në atë që jeton, jeton për Perëndinë.
11 Kështu edhe ju llogariteni veten tuaj: se, nga njëra anë, jeni të vdekur për sa i përket mëkatit, por, nga ana tjetër, jeni të gjallë për Perëndinë, në Krishtin Jezus.
12 Të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'u bindeni dëshirimeve të tij;
13 dhe mos ia paraqisni gjymtyrët tuaja mëkatit si mjete padrejtësie, por ia paraqisni veten tuaj Perëndisë si të gjallë prej të vdekurve dhe gjymtyrët tuaja Perëndisë si mjete drejtësie.
14 Se mëkati nuk do t'ju zotërojë, sepse nuk jeni nën Ligj, por nën hir.
15 Çfarë, atëherë? A të mëkatojmë sepse nuk jemi nën Ligj, por nën hir? Kurrë mos qoftë!
16 A nuk e dini se kur ia paraqisni veten tuaj dikujt si skllevër për bindje, jeni skllevër të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë bindjes për drejtësi?
17 Por qoftë falënderuar Perëndia, sepse ishit skllevër të mëkatit, por iu bindët prej zemrës llojit të mësimit ndaj të cilit u dorëzuat
18 dhe duke u çliruar nga mëkati, u bëtë skllevër për sa i përket drejtësisë
19 (po flas në mënyrë njerëzore, për shkak të dobësisë së mishit tuaj). Se sikurse ia paraqitët gjymtyrët tuaja si skllave papastërtisë dhe paligjshmërisë, për paligjshmëri, kështu tani paraqitjani gjymtyrët tuaja si skllave drejtësisë për shenjtërim.
20 Njëmend, kur ishit skllevër të mëkatit, ishit të lirë për sa i përket drejtësisë.
21 Çfarë fryti, pra, kishit atëherë nga ato gjëra për të cilat tani turpëroheni? Sepse fundi i atyre është vdekja.
22 Por tani, duke u çliruar nga mëkati dhe duke iu bërë skllevër Perëndisë, ju keni frytin tuaj që çon në shenjtërim dhe si fund jetën e përjetshme.
23 Sepse pagesa e mëkatit është vdekja, por dhurata e hirit e Perëndisë është jeta e përjetshme në Krishtin Jezus, Zotin tonë.
Të gjithë librat
