Letra drejtuar Romakëve 4
1 Çfarë do të themi, pra, se ka gjetur Abrahami, ati ynë i parë sipas mishit?
2 Se nëse Abrahami u drejtësua prej veprash, ka arsye për mburrje; por jo kundrejt Perëndisë!
3 Sepse çfarë thotë Shkrimi? "Dhe i besoi Abrahami Perëndisë, dhe kjo iu llogarit për drejtësi".
4 Tani, atij që punon, paga nuk i llogaritet sipas hirit, por sipas detyrimit.
5 Ndërsa atij që nuk punon, por që beson në atë që drejtëson të papërshpirtshmin, besimi i tij i llogaritet për drejtësi;
6 sikundërse shpreh edhe Davidi lumninë e njeriut të cilit Perëndia i llogarit drejtësi pa vepra:
7 "Lum ata, paligjshmëritë e të cilëve u falën dhe mëkatet e të cilëve u mbuluan!
8 Lum ai njeri, mëkatin e të cilit Zoti kurrë nuk do ta llogaritë!".
9 Atëherë, kjo lumni është për rrethprerjen apo edhe për parrethprerjen? Sepse ne themi: "Abrahamit iu llogarit besimi për drejtësi".
10 Si, pra, iu llogarit? Kur ishte në rrethprerje, apo kur ishte në parrethprerje? Jo kur ishte në rrethprerje, por në parrethprerje!
11 Dhe ai mori shenjën e rrethprerjes si vulë të drejtësisë prej besimit që ai pati kur ishte në parrethprerje; që ai të jetë atë i gjithë atyre që besojnë ndërsa janë në parrethprerje, që edhe atyre t'u llogaritet drejtësia;
12 dhe të jetë atë i rrethprerjes, i atyre që jo vetëm janë prej rrethprerjes, por të cilët edhe vijojnë në gjurmët e besimit të atit tonë Abraham, të cilin ai e pati kur ishte në parrethprerje.
13 Se premtimi që iu dha Abrahamit, apo pasardhjes së tij, për të qenë ai trashëgimtar i botës, nuk qe nëpërmjet Ligjit, por nëpërmjet drejtësisë prej besimit.
14 Se nëse janë trashëgimtarë ata që janë prej Ligjit, atëherë besimi është bërë i kotë dhe premtimi është shfuqizuar.
15 Sepse Ligji prodhon zemërim; por aty ku nuk ka Ligj, nuk ka as edhe shkelje.
16 Për këtë arsye është prej besimit, me qëllim që të jetë sipas hirit, që premtimi të jetë i sigurt për të gjithë pasardhjen, jo vetëm për atë prej Ligjit, por edhe për atë prej besimit të Abrahamit, i cili është atë i të gjithëve ne
17 (ashtu siç është shkruar: "Të kam vënë si atë të shumë kombeve") përkundrejt atij të cilit i besoi, Perëndisë që i bën të gjallë të vdekurit dhe që i thërret për të qenë gjërat që nuk janë.
18 Ai, me shpresë kundër çdo shprese, besoi për t'u bërë vetë atë i shumë kombeve, sipas asaj që i ishte thënë: "Kështu do të jetë pasardhja jote".
19 Dhe duke mos qenë i dobët në besim, kundroi trupin e vet, që tashmë thuajse kishte vdekur (duke qenë gati njëqindvjeçar), dhe vdekësinë e barkut të Sarës,
20 por nuk dyshoi me mosbesim në premtimin e Perëndisë; përkundrazi, u fuqizua në besim, duke i dhënë lavdi Perëndisë
21 dhe duke qenë plotësisht i sigurt se çfarë Perëndia ka premtuar, është i fuqishëm edhe për ta bërë.
22 Prandaj "dhe kjo iu llogarit për drejtësi".
23 Tani, nuk u shkrua vetëm për atë se "iu llogarit",
24 por edhe për ne të cilëve do të na llogaritet si ata që besojnë në atë që e ngjalli Jezusin, Zotin tonë, prej të vdekurve;
25 i cili u dorëzua në vdekje për shkeljet tona dhe u ngjall për drejtësimin tonë.
Të gjithë librat
