Letra drejtuar Romakëve 3
1 Cila, pra, është përparësia e judeut? Apo cili është përfitimi i rrethprerjes?
2 I madh nga çdo pikëpamje. Së pari, sepse judenjve iu besuan thëniet e Perëndisë.
3 Se çfarë ka nëse disa nuk besuan? Mos vallë mosbesimi i tyre do ta shfuqizojë besën e Perëndisë?
4 Kurrë mos qoftë! Por të jetë Perëndia i vërtetë, ndërsa çdo njeri gënjeshtar, ashtu siç është shkruar: "Me qëllim që të përligjesh në fjalët e tua dhe, kështu, do të dalësh fitues në të gjykuarit tënd".
5 Por nëse padrejtësia jonë nxjerr në pah drejtësinë e Perëndisë, çfarë do të themi? Mos është i padrejtë Perëndia që sjell zemërimin? (Po flas si njeri.)
6 Kurrë mos qoftë! Përndryshe, si do ta gjykojë Perëndia botën?
7 Por nëse me anë të gënjeshtrës sime, e vërteta e Perëndisë mbushulloi për lavdinë e tij, pse unë edhe po gjykohem ende si mëkatar?
8 Dhe pse të mos themi (ashtu si përflitemi e si thonë disa për ne se themi): "Të bëjmë të këqijat, me qëllim që të vijnë të mirat"? Gjykimi i të tillëve është i merituar!
9 Çfarë, pra? A kemi epërsi? Jo, aspak! Sepse më parë i paditëm qoftë judenjtë e qoftë helenët se të gjithë janë nën mëkat,
10 ashtu siç është shkruar: "Nuk ka asnjë të drejtë, as edhe një,
11 nuk ka asnjë që kupton, nuk ka asnjë që kërkon Perëndinë.
12 Të gjithë u shmangën nga udha, bashkërisht u bënë të pavlerë; nuk ka asnjë që bën mirësi, nuk ka as edhe një".
13 "Varr i hapur është gryka e tyre, me gjuhët e tyre thurnin mashtrime, helm nepërkash ka nën buzët e tyre".
14 "Goja e të cilëve është mbushur me mallkim dhe hidhësi".
15 "Të shpejta janë këmbët e tyre për të derdhur gjak,
16 rrënim dhe mjerim ka në rrugët e tyre,
17 dhe udhën e paqes nuk e njohën".
18 "Nuk ka frikë Perëndie përpara syve të tyre".
19 Tani, ne e dimë se gjithë sa thotë Ligji, e flet për ata që janë nën Ligj, që çdo gojë të mbyllet dhe gjithë bota të bëhet llogaridhënëse ndaj Perëndisë;
20 ngaqë prej veprave të Ligjit nuk do të drejtësohet asnjë mish përpara tij, sepse nëpërmjet Ligjit vjen vetëm njohja e qartë e mëkatit.
21 Por tani, pavarësisht nga Ligji, është shfaqur drejtësia e Perëndisë (e dëshmuar nga Ligji dhe Profetët) –
22 domethënë drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë ata që besojnë (sepse nuk ka dallim,
23 se të gjithë mëkatuan dhe u mungon lavdia e Perëndisë),
24 duke qenë të drejtësuar falas me hirin e tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus;
25 të cilin Perëndia e paraqiti si vendshlyerje në gjakun e tij, të arritshëm nëpërmjet besimit, për dëftim të drejtësisë së tij, për shkak të kapërcimit të mëkatimeve që qenë bërë më përpara,
26 gjatë durueshmërisë së Perëndisë, për dëftimin e drejtësisë së tij në kohën e tanishme; që ai të jetë i drejtë dhe drejtësues i atij që është prej besimit në Jezusin.
27 Ku është, pra, mburrja? U përjashtua! Nëpërmjet cilit ligj? Atij të veprave? Jo, jo, por nëpërmjet ligjit të besimit.
28 Sepse ne mendojmë që njeriu drejtësohet nëpërmjet besimit, pavarësisht nga veprat e Ligjit.
29 Apo Perëndia është vetëm i judenjve? A nuk është edhe i kombeve? Po, është edhe i kombeve,
30 përderisa është një i vetëm Perëndia, i cili do ta drejtësojë të rrethprerin prej besimit dhe të parrethprerin nëpërmjet besimit.
31 Atëherë, vallë e shfuqizojmë Ligjin nëpërmjet besimit? Kurrë mos qoftë! Përkundrazi, e përforcojmë Ligjin.
Të gjithë librat
