Letra drejtuar Romakëve 16
1 Tani, po ju lë porosi Feben, motrën tonë, që është edhe shërbenjëse e kishës që është në Kenkrea,
2 që ta pranoni në Zotin në mënyrë të denjë për shenjtorët dhe t'i gjendeni në çfarëdo gjëje që të ketë nevojë nga ju; sepse edhe ajo ka qenë e gjindshme për shumë veta, edhe për mua vetë.
3 Përshëndetni Priskën dhe Akuilin, bashkëpunëtorët e mi në Krishtin Jezus
4 (të cilët për jetën time vunë në rrezik kokën e vet dhe të cilët i falënderoj jo vetëm unë, por edhe të gjitha kishat e kombeve),
5 dhe kishën në shtëpinë e tyre. Përshëndetni Epenetin, të dashurin tim, i cili është fryti i parë i Azisë për Krishtin.
6 Përshëndetni Marinë, e cila u mundua shumë për ju.
7 Përshëndetni Andronikun dhe Junian, bashkëkombësit e mi dhe të burgosurit bashkë me mua, të cilët janë të shquar ndër apostujt dhe të cilët kanë qenë në Krishtin para meje.
8 Përshëndetni Ampliatin, të dashurin tim në Zotin.
9 Përshëndetni Urbanin, bashkëpunëtorin tonë në Krishtin, dhe Stakun, të dashurin tim.
10 Përshëndetni Apelin, të aprovuarin në Krishtin. Përshëndetni ata prej atyre të shtëpisë së Aristobulit.
11 Përshëndetni Herodionin, bashkëkombësin tim. Përshëndetni ata prej atyre të shtëpisë së Narcisit, që janë në Zotin.
12 Përshëndetni Trifenën dhe Trifosën, të cilat mundohen në Zotin. Përshëndetni Persidën e dashur, e cila u mundua shumë në Zotin.
13 Përshëndetni Rufin, të zgjedhurin në Zotin, dhe nënën e tij, që është edhe imja.
14 Përshëndetni Asinkritin, Flegontin, Hermesin, Patrobin, Hermasin dhe vëllezërit që janë bashkë me ta.
15 Përshëndetni Filologun dhe Julian, Nereun dhe motrën e tij, dhe Olimpin, dhe të gjithë shenjtorët që janë bashkë me ta.
16 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Ju përshëndesin të gjitha kishat e Krishtit.
17 Tani, ju bëj thirrje, vëllezër, që të rrini syhapët ndaj atyre që shkaktojnë përçarjet dhe shkandujt kundër mësimit që ju mësuat, dhe rrini larg nga ata.
18 Sepse të tillë njerëz nuk i shërbejnë Zotit tonë Krisht, por barkut të vet; dhe nëpërmjet fjalëve të bukura e lëvdatave mashtrojnë zemrat e të patëkeqve.
19 Se bindja juaj arriti te të gjithë; prandaj, lidhur me ju unë gëzohem dhe dua që ju të jeni të urtë për të mirën dhe të thjeshtë për të keqen.
20 Dhe Perëndia i paqes do ta dërrmojë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju!
21 Ju përshëndet Timoteu, bashkëpunëtori im; edhe Luci dhe Jasoni, dhe Sosipatri, bashkëkombësit e mi.
22 Ju përshëndes në Zotin unë, Terci, shkruesi i letrës.
23 Ju përshëndet Gaji, mikpritësi im dhe i tërë kishës. Ju përshëndet Erasti, arkëtari i qytetit, dhe vëlla Kuarti.
24 [Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me të gjithë ju. Amen.]
25 Tani, atij që është në gjendje t'ju forcojë, sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit që ishte mbajtur në heshtje prej kohërash të përjetshme,
26 por që u shfaq tani dhe u bë i njohur për të gjitha kombet nëpërmjet Shkrimeve profetike, sipas urdhrit të të përjetshmit Perëndi, për të sjellë bindjen e besimit,
27 të vetmit Perëndi të urtë i qoftë lavdia në shekuj nëpërmjet Jezu Krishtit. Amen!
Të gjithë librat
