Letra drejtuar Romakëve 14
1 Tani, pranojeni atë që është i dobët në besim, jo për t'u zënë me arsyetime.
2 Njëri beson se mund të hajë gjithçka, ndërsa ai që është i dobët, ha vetëm perime.
3 Ai që ha, mos ta përbuzë atë që nuk ha dhe ai që nuk ha, mos ta gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e pranoi atë.
4 Ti kush je që gjykon shërbëtorin e tjetrit? Për zotërinë e vet ai qëndron ose bie. Por do të qëndrojë, sepse Zoti është në gjendje për ta bërë të qëndrojë.
5 Njëri e vlerëson një ditë më tepër se një ditë tjetër, tjetri e vlerëson çdo ditë njëlloj; secili të jetë plotësisht i sigurt në mendjen e vet.
6 Ai që i kushton vëmendje ditës, për Zotin i kushton vëmendje, dhe ai që ha, për Zotin ha, sepse falënderon Perëndinë; edhe ai që nuk ha, për Zotin nuk ha dhe falënderon Perëndinë.
7 Se asnjë nga ne nuk jeton për vetveten dhe asnjë nuk vdes për vetveten;
8 sepse edhe po të jetojmë, për Zotin jetojmë, edhe po të vdesim, për Zotin vdesim. Pra, edhe po të jetojmë, edhe po të vdesim, të Zotit jemi.
9 Se për këtë Krishti vdiq dhe erdhi sërish në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekur, edhe mbi të gjallë.
10 Tani, ti pse e gjykon vëllain tënd? Apo edhe ti tjetri, pse e përbuz vëllain tënd? Se të gjithë do të qëndrojmë para fronit të gjykimit të Perëndisë,
11 sepse është shkruar: "'Për jetën time!', thotë Zoti, 'që mua do të më përkulet çdo gju, dhe çdo gjuhë do t'i bëjë rrëfim Perëndisë'".
12 Rrjedhimisht, pra, secili nga ne do t'i japë llogari Perëndisë për veten e vet.
13 Prandaj, të mos gjykojmë më njëri-tjetrin, por gjykoni këtë më tepër: që të mos i vihet pengesë vëllait apo shkandull.
14 Unë e di, dhe jam i bindur në Zotin Jezus, se asgjë nuk është e ndytë në vetvete, porse për atë që e llogarit diçka se është e ndytë, për të është e ndytë.
15 Se nëse për shkak të ushqimit vëllai yt trishtohet, ti nuk po ecën më sipas dashurisë. Mos e shkatërro me anë të ushqimit tënd atë për hir të të cilit Krishti vdiq!
16 Prandaj, mos të përflitet e mira juaj;
17 se Mbretëria e Perëndisë nuk është ngrënie dhe pirje, por drejtësi dhe paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë.
18 Se ai që i shërben Krishtit në këtë gjë, është i pëlqyeshëm prej Perëndisë dhe i aprovuar prej njerëzve.
19 Rrjedhimisht, pra, le të ndjekim ato gjëra që janë të paqes dhe të ndërtimit të njëri-tjetrit.
20 Mos e prish punën e Perëndisë për shkak të ushqimit! Vërtet të gjitha janë të pastra, por është keq për njeriun që ha duke i vënë pengesë tjetrit.
21 Mirë është që të mos hash mish dhe të mos pish verë, dhe të mos bësh asgjë tjetër në të cilën vëllai yt pengohet apo shkandullohet, apo dobësohet.
22 Besimin që ti ke, kije për veten tënde përpara Perëndisë; lum ai që nuk gjykon vetveten në çfarë aprovon.
23 Por ai që dyshon, po të hajë, është i dënuar, sepse të ngrënët e tij nuk është prej besimit; dhe gjithçka që nuk është prej besimit, është mëkat.
Të gjithë librat
