Letra drejtuar Romakëve 12
1 Prandaj po ju bëj thirrje, vëllezër, nëpërmjet përdëllimeve të Perëndisë, që t'i paraqisni trupat tuaj si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshme për Perëndinë, që është shërbesa juaj e arsyeshme.
2 Dhe mos u njëtrajtësoni me këtë epokë, por shndërrohuni përmes ripërtëritjes së mendjes, në mënyrë që ju të provoni cili është vullneti i Perëndisë, ai i miri dhe i pëlqyeshmi, dhe i përsosuri.
3 Se nëpërmjet hirit që m'u dha, i them çdokujt që është ndër ju, që të mos ketë mendim të lartë për veten përtej asaj çfarë duhet të mendojë, por të mendojë si të jetë i matur, ashtu si Perëndia i ndau secilit masë besimi.
4 Se sikundërse në një trup kemi shumë gjymtyrë, por nuk kanë të gjitha gjymtyrët të njëjtën veprimtari,
5 kështu edhe ne të shumtët jemi një trup në Krishtin dhe çdonjëri gjymtyrë të njëri-tjetrit,
6 por duke pasur dhunti të ndryshme, sipas hirit që na u dha: qoftë profeci, duke e ushtruar sipas përpjesëtimit të besimit;
7 qoftë shërbim, duke e ushtruar në të shërbyerit; qoftë ai që mëson, duke e ushtruar në mësimdhënie;
8 qoftë ai që nxit, duke ushtruar nxitjen; ai që përndan, duke e bërë me thjeshtësi; ai që kryeson, duke e bërë me zellshmëri; ai që bën vepra mëshire, duke i bërë me gazmim.
9 Dashuria të jetë jo e shtirur. Kini neveri të ligën, ngjitjuni së mirës.
10 Jini të dashur ndaj njëri-tjetrit me dashuri vëllazërore; në nderim t'ia tejkaloni njëri-tjetrit.
11 Mos jini përtacë në zellshmëri; jini të zjarrtë në frymë; shërbejini Zotit.
12 Gëzohuni në shpresë; duroni në mundim, përkushtojuni lutjes.
13 Bëhuni pjesëmarrës në nevojat e shenjtorëve; ushtroni mikpritjen.
14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni e mos mallkoni.
15 Gëzohuni me ata që gëzohen, qani me ata që qajnë.
16 Mendoni të njëjtën gjë për njëri-tjetrin; mos t'ju rritet mendja, por shoqërohuni me të përulurit. Mos e mbani vetveten për të mençur.
17 Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe; tregoni kujdes për çfarë është e mirë përpara të gjithë njerëzve.
18 Nëse është e mundur, për çfarë varet prej jush, jini në paqe me të gjithë njerëzit.
19 Mos merrni hak për veten tuaj, o të dashur, por jepini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: "Mua më përket hakmarrja; unë do të shpaguaj", thotë Zoti.
20 Përkundrazi, "po të ketë uri armiku yt, jepi të hajë; po të ketë etje, jepi të pijë; sepse duke bërë këtë, do të grumbullosh thëngjij zjarri mbi kokën e tij".
21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.
Të gjithë librat
