Letra drejtuar Romakëve 11
1 Po them, pra: mos e hodhi poshtë Perëndia popullin e tij?! Kurrë mos qoftë! Sepse edhe unë jam izraelit, prej farës së Abrahamit dhe fisit të Beniaminit.
2 Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e tij, të cilin e paranjohu. Apo nuk e dini çfarë thotë Shkrimi në pjesën për Elian? Si ai i ankohet Perëndisë kundër Izraelit:
3 "O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i rrafshuan; edhe unë mbeta i vetëm dhe po kërkojnë jetën time!".
4 Por çfarë i tha përgjigjja hyjnore? "Lashë për veten time shtatë mijë burra të cilët nuk ia përkulën gjunjët Baalit".
5 Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje sipas zgjedhjes së hirit.
6 Dhe nëse është prej hiri, nuk është më prej veprash; përndryshe hiri nuk është më hir.
7 Çfarë, atëherë? Atë që Izraeli e kërkon, nuk e arriti, por të zgjedhurit e arritën; ndërsa të tjerët u ngurtësuan,
8 ashtu siç është shkruar: "Perëndia u dha atyre një frymë mpirjeje; sy për të mos parë dhe veshë për të mos dëgjuar, deri ditën e sotme".
9 Edhe Davidi thotë: "Tryeza e tyre le të bëhet kurth dhe lak, dhe grackë e shpagim për ta;
10 sytë e tyre le të errësohen për të mos parë dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithmonë!".
11 Po them, pra: Mos u penguan që të rrëzohen?! Kurrë mos qoftë! Por përmes hapit të gabuar të tyre u erdhi shpëtimi kombeve, për t'i bërë ata xhelozë.
12 Tani, nëse hapi i gabuar i tyre është pasuri për botën dhe dështimi i tyre është pasuri për kombet, sa më tepër do të jetë plotësia e tyre?!
13 Tani, po ju them juve, kombeve, se për aq sa unë jam, pra, apostull i kombeve, e lëvdoj shërbimin tim,
14 se mos, disi, mund t'i bëj xhelozë ata që janë mishi im dhe të shpëtoj disa prej tyre.
15 Se nëse hedhja tej e tyre është pajtimi i botës, çfarë do të jetë pranimi i tyre, në mos jetë prej të vdekurve?!
16 E nëse masa e parë e brumit është e shenjtë, edhe brumi është i tillë; dhe nëse rrënja është e shenjtë, edhe degët janë të tilla.
17 Tani, nëse disa degë u këputën dhe ti, duke qenë ulli i egër, u shartove në to dhe u bëre bashkëpjesëmarrës i rrënjës, domethënë i yndyrës së ullirit,
18 mos u mburr kundër degëve; por nëse mburresh kundër tyre, kujtohu se nuk e mban ti rrënjën, por rrënja ty.
19 Ti do të thuash, atëherë: "Degët u këputën që unë të shartohesha".
20 Bukur! Ato u këputën për shkak të mosbesimit, ndërsa ti qëndron për shkak të besimit. Mos të të rritet mendja, por frikësohu;
21 sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, nuk do të të kursejë as edhe ty.
22 Shiko, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: nga njëra anë, rreptësi ndaj atyre që u rrëzuan, nga ana tjetër, mirësi të Perëndisë ndaj teje, po të vazhdosh në mirësinë e tij; përndryshe edhe ti do të pritesh.
23 Por edhe ata, po të mos vazhdojnë në mosbesim, do të shartohen, sepse Perëndia është i fuqishëm për t'i shartuar përsëri.
24 Se nëse ti u preve prej atij që nga natyra është ulli i egër dhe u shartove kundër natyre në ulli të butë, sa më tepër këta që janë degë natyrore, do të shartohen në ullirin e vet!
25 Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur për këtë mister (me qëllim që të mos e mbani vetveten për të mençur): se Izraelit i ka ndodhur një ngurtësim i pjesshëm, derisa të ketë hyrë plotësia e kombeve;
26 dhe, kështu, i gjithë Izraeli do të shpëtohet, ashtu siç është shkruar: "Ai që çliron, do të vijë prej Sionit; ai do të largojë papërshpirtëritë nga Jakobi.
27 Dhe kjo është besëlidhja nga ana ime me ta, kur të heq mëkatet e tyre".
28 Nga njëra anë, lidhur me ungjillin, ata janë armiq për hatrin tuaj; nga ana tjetër, lidhur me zgjedhjen, ata janë të dashur për hatër të etërve.
29 Sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.
30 Se sikurse ju më parë nuk i bindeshit Perëndisë, por tani u mëshiruat për shkak të mosbindjes së tyre,
31 kështu edhe këta tani nuk u bindën, me qëllim që, për shkak të mëshirës ndaj jush, edhe ata tani të mëshirohen.
32 Se Perëndia i ngujoi të gjithë në mosbindje, me qëllim që t'i mëshirojë të gjithë.
33 Oh thellësi pasurie dhe urtësie, dhe njohurie të Perëndisë! Sa të padepërtueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme udhët e tij!
34 Se kush e njohu mendjen e Zotit? Apo kush u bë këshilltar i tij?
35 Apo kush i dha më përpara atij dhe ai të marrë shpërblim?!
36 Se prej tij dhe nëpërmjet tij, dhe për të janë të gjitha. Atij i qoftë lavdia në shekuj! Amen.
Të gjithë librat
