Psalmet 99
1 Jahveh-u mbretëron, le të dridhen popujt! Ai rri ulur mbi kerubinë, le të tronditet toka!
2 Jahveh-u është i madh në Sion dhe i lartësuar është ai mbi të gjithë popujt.
3 Le ta përlëvdojnë emrin tënd të madh dhe të frikshëm! I shenjtë është ai!
4 Madje forca e mbretit e do të drejtën. Ti vetë e ke vendosur barazinë; të drejtën dhe drejtësinë te Jakobi ti vetë i ke ushtruar.
5 Lartësojeni Jahveh-un, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys te stoli i këmbëve të tij! I shenjtë është ai!
6 Moisiu dhe Aroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli qe ndër ata që thërrisnin emrin e tij. Ata thërrisnin drejt Jahveh-ut dhe ai u përgjigjej.
7 Në një shtyllë reje fliste drejt tyre. Ata i mbajtën dëshmitë e tij dhe statutin që ua dha atyre.
8 O Jahveh, Perëndia ynë, ti vetë u je përgjigjur. Një Perëndi që fal ke qenë për ta, por edhe që merr hak ndaj veprimeve të tyre.
9 Lartësojeni Jahveh-un, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys te mali i tij i shenjtë, sepse i shenjtë është Jahveh-u, Perëndia ynë.
Të gjithë librat
