Psalmet 96
1 Këndojini Jahveh-ut një këngë të re! Këndojini Jahveh-ut ju, e gjithë toka!
2 Këndojini Jahveh-ut, bekoni emrin e tij! Shpallni si lajm të mirë nga dita në ditë shpëtimin e tij!
3 Kallëzoni ndër kombet lavdinë e tij, ndër të gjithë popujt, veprat e tij të mrekullueshme!
4 Sepse i madh është Jahveh-u dhe për t'u lavdëruar fort; i frikshëm është ai mbi gjithë perënditë.
5 Sepse gjithë perënditë e popujve janë gjëra pa vlerë, por Jahveh-u është ai që ka bërë qiejt.
6 Madhështi dhe shkëlqim janë përpara tij, forcë dhe bukuri në shenjtëroren e tij.
7 Jepini Jahveh-ut, o familje të popujve, jepini Jahveh-ut lavdi dhe forcë!
8 Jepini Jahveh-ut lavdinë që i takon emrit të tij! Sillni një blatim dhe ejani në oborret e tij!
9 Bini përmbys para Jahveh-ut në stoli shenjtërie! Dridhuni në praninë e tij ju, e gjithë toka!
10 Thoni ndër kombe: "Jahveh-u mbretëron! Po, bota është e vendosur mirë, nuk do të tundet. Ai do ta bëjë gjykimin e popujve me barazi".
11 Le të gëzohen qiejt dhe le të ngazëllojë toka, le të gjëmojë deti dhe mbushullia e tij!
12 Le të gazmojë fusha dhe gjithçka që është në të! Atëherë do të lëshojnë britma hareje të gjithë drurët e pyllit
13 përpara Jahveh-ut, sepse ai vjen, sepse ai vjen për të gjykuar tokën. Ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.
Të gjithë librat
