Psalmet 95
1 Ejani, le të lëshojmë britma hareje për Jahveh-un, le të brohorasim për shkëmbin e shpëtimit tonë!
2 Le të shkojmë përpara fytyrës së tij me përlëvdim, me këngë lavdërimi le të brohorasim për të!
3 Sepse Jahveh-u është Perëndi i madh dhe mbret i madh mbi gjithë perënditë;
4 në dorën e të cilit janë thellësitë e pahulumtuara të tokës, edhe majat e maleve janë të tijat;
5 të cilit i përket deti, sepse ai vetë e ka bërë, dhe teriku që duart e tij kanë formuar.
6 Ejani, le të biem përmbys dhe le të përkulemi, le të gjunjëzohemi përpara Jahveh-ut që na ka bërë!
7 Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij, dhe grigja e dorës së tij. Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,
8 "mos e ngurtësoni zemrën tuaj si në Meribë, si në ditën e Masës në shkretëtirë,
9 kur etërit tuaj më sprovuan, më vunë në provë, megjithëse e kishin parë veprën time.
10 Dyzet vjet kisha pështirë për atë brez dhe thashë: 'Ata janë një popull që shmanget në zemër dhe ata nuk i njohin rrugët e mia'.
11 Kështu që u betova në zemërimin tim: 'Nuk do të hyjnë kurrë në prehjen time!'".
Të gjithë librat
