Psalmet 94
1 O Perëndi i hakmarrjeve, o Jahveh, o Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe!
2 Ngrihu, o Gjykatës i tokës, ktheja mendjemëdhenjve atë që meritojnë!
3 Deri kur të ligjtë, o Jahveh, deri kur të ligjtë do të gazmojnë?
4 Lëshojnë fjalë, flasin pa fre; mburren të gjithë ata që kryejnë paudhësi.
5 Popullin tënd, o Jahveh, e dërrmojnë dhe trashëgiminë tënde e keqtrajtojnë.
6 Vejushën dhe ardhësin i vrasin, dhe jetimët i masakrojnë.
7 Dhe thonë: "Jah-u nuk sheh dhe Perëndia i Jakobit nuk i kushton vëmendje".
8 Kushtojini vëmendje kësaj, o ju të trashë në mes të popullit! Dhe ju të marrë, kur do të bëheni të zgjuar?!
9 Ai që mbjell veshin, a nuk dëgjon? Ose ai që formon syrin, a nuk këqyr?
10 Ai që korrigjon kombet, a nuk qorton, ai që i mëson njeriut njohurinë?
11 Jahveh-u i njeh mendimet e njeriut, që ato janë kotësi.
12 Lum ai njeri të cilin e korrigjon, o Jah, dhe që e mëson nga ligji yt,
13 për t'i dhënë atij qetësi prej ditëve të këqija, derisa të gërmohet gropa për të ligun.
14 Se Jahveh-u nuk do ta lërë në harresë popullin e tij dhe trashëgiminë e tij nuk do ta braktisë.
15 Se gjykimi do të jetë përsëri me drejtësi dhe do t'i shkojnë pas të gjithë të drejtët nga zemra.
16 Kush do të ngrihet për mua kundër keqbërësve? Kush do të mbajë qëndrim për mua kundër atyre që kryejnë paudhësi?
17 Sikur Jahveh-u të mos kishte qenë ndihmë për mua, përpak do të kishte banuar shpirti im në vendin e heshtjes.
18 Nëse do të kisha thënë: "Po më lëkundet këmba!", besëmirësia jote, o Jahveh, do të më mbante.
19 Në mbushullinë e merakeve të mia brenda meje ngushëllimet e tua e kënaqin shpirtin tim.
20 A do të bëjë marrëveshje me ty froni rrënues, ai që i jep trajtë një prapësie përmes një statuti?
21 Bëhen grup kundër jetës së të drejtit dhe gjakun e pafajshëm e dënojnë.
22 Por Jahveh-u ka qenë një fortesë për mua dhe Perëndia im shkëmbi i strehës sime.
23 Dhe ai do ta kthejë mbi ta paudhësinë e tyre, dhe në të keqen e tyre do t'i asgjësojë. Jahveh-u, Perëndia ynë, do t'i asgjësojë.
Të gjithë librat
