Psalmet 92
1 Psalm. Këngë për ditën e shabatit. Është e mirë që të përlëvdosh Jahveh-un dhe të psalmosh për emrin tënd, o Shumë i Larti,
2 të shpallësh në mëngjes besëmirësinë tënde dhe besnikërinë tënde gjatë netëve,
3 me vegël dhjetëshe dhe me lahutë, me melodi kumbuese të luajtur në qeste.
4 Se ti më ke gëzuar, o Jahveh, me punën tënde; për veprat e duarve të tua do të lëshoj britma hareje.
5 Sa të mëdha janë veprat e tua, o Jahveh! Jashtë mase të thella janë mendimet e tua.
6 Njeriu i trashë nuk e di dhe i marri nuk e kupton këtë:
7 Kur të ligjtë bulëzojnë si bimësia dhe kur çelin të gjithë ata që kryejnë paudhësi, kjo ndodh që ata të shfarosen përgjithmonë.
8 Por ti je përjetë në lartësi, o Jahveh!
9 Se ja, armiqtë e tu, o Jahveh, se ja, armiqtë e tu do të humbasin; do të shpërndahen të gjithë ata që kryejnë paudhësi.
10 Por ti e ke ngritur lart bririn tim si të një bualli të egër; jam vajosur me vaj të freskët.
11 Dhe syri im ka këqyrur me ngadhënjim mbi ata që më përgjojnë; për keqbërësit që çohen kundër meje, dëgjojnë veshët e mi.
12 I drejti do të bulëzojë si palma, si cedri në Liban do të rritet.
13 Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Jahveh-ut, në oborret e Perëndisë tonë do të lulëzojnë.
14 Do të japin ende fryt në moshë të vjetër, do të jenë të lëngshëm dhe të freskët,
15 për të shpallur se Jahveh-u është i drejtë; ai është shkëmbi im dhe nuk ka padrejtësi në të.
Të gjithë librat
