Psalmet 91
1 Ai që rri në vendstrehimin e Shumë të Lartit, nën hijen e të Plotfuqishmit do të bujë.
2 Do t'i them Jahveh-ut: "Streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im në të cilin kam besim!".
3 Se ai vetë do të të lirojë prej çarkut të gjahtarit të shpendëve dhe prej murtajës rrënuese.
4 Me pendët e tij do të të mbulojë ty dhe nën flatrat e tij do të gjesh strehë; shqyt dhe mur mbrojtës është besnikëria e tij.
5 Nuk do të kesh frikë prej tmerrisë së natës, prej shigjetës që fluturon ditën,
6 prej murtajës që ecën në errësirë, prej shkatërrimit që shkreton në mesditë.
7 Një mijë do të bien përbri teje dhe dhjetë mijë nga e djathta jote; te ti nuk do të afrohen.
8 Vetëm do të këqyrësh me sytë e tu dhe shpagimin e të ligjve do të shohësh.
9 Ngaqë ti e ke bërë Jahveh-un – strehën time, Shumë të Lartin – banesën tënde,
10 nuk do të të ndodhë ty asnjë e keqe dhe asnjë plagë nuk do t'i afrohet çadrës sate.
11 Sepse engjëjt e tij do t'i urdhërojë për ty, që të të mbrojnë në të gjitha rrugët e tua.
12 Mbi pëllëmbë do të të mbartin, që të mos ndeshësh në gur këmbën tënde.
13 Mbi luanin dhe kobrën do të shkelësh, do të shtypësh luanin e ri dhe gjarprin.
14 "Ngaqë më ka dashur mua, atëherë do ta çliroj; do ta vendos lart në siguri, sepse ka njohur emrin tim.
15 Ai do të më thërrasë dhe unë do t'i përgjigjem; unë do të jem me të në ngushticë; do ta çliroj dhe do ta nderoj.
16 Me ditë të gjata do ta ngop dhe do t'i shfaq shpëtimin tim".
Të gjithë librat
