Psalmet 90
1 Lutje e Moisiut, njeriut të Perëndisë. O Zot, ti ke qenë një banesë për ne brez pas brezi.
2 Përpara se malet të kishin lindur dhe përpara se të kishe sjellë në jetë tokën dhe botën, madje nga përjetësia në përjetësi, ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njeriut!".
4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që kaloi dhe si një ndarje kohore gjatë natës.
5 Ti i ke rrëmbyer ata si një përmbytje; janë si në gjumë. Në mëngjes janë si bari që bleron.
6 Në mëngjes çel dhe bleron, në mbrëmje vyshket dhe thahet.
7 Se kemi mbaruar nga zemërimi yt dhe nga mllefi yt jemi tmerruar.
8 I ke vënë paudhësitë tona përballë teje, mëkatin tonë të fshehtë në ndriçimin e fytyrës sate.
9 Se të gjitha ditët tona janë mpakur në furinë tënde; vitet tona kanë mbaruar porsi ofsh.
10 Ditët e viteve tona në vetvete shkojnë shtatëdhjetë vjet, e nëse dikush ka fuqi, shkojnë tetëdhjetë vjet; por krenaria e tyre është mundim dhe brengë, sepse kalon shpejt dhe ne fluturojmë tutje.
11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe furinë tënde, sipas frikës që duhet pasur ndaj teje?!
12 Kështu na mëso për të numëruar ditët tona, që të fitojmë një zemër të urtë.
13 Kthehu, o Jahveh! Deri kur? Dhe ki keqardhje për skllevërit e tu!
14 Na ngop në mëngjes me besëmirësinë tënde, që të lëshojmë britma hareje dhe të gëzohemi në të gjitha ditët tona.
15 Na gëzo në përputhje me ditët që na ke pikëlluar, në përputhje me vitet që kemi parë të keqen.
16 Le t'u shfaqet skllevërve të tu puna jote dhe shkëlqimi yt bijve të tyre!
17 Dhe ëndja e Zotit, Perëndisë tonë, qoftë mbi ne, dhe veprën e duarve tona bëje të qëndrueshme për ne! Po, veprën e duarve tona bëje të qëndrueshme!
Të gjithë librat
