Psalmet 9
1 Për dirigjuesin. Almot laben. Psalm i Davidit. Do ta përlëvdoj Jahveh-un me gjithë zemrën time, do të kumtoj të gjitha veprat e tua të mrekullueshme.
2 Do të gëzohem dhe do të shendem në ty, do të psalmoj për emrin tënd, o Shumë i Larti!
3 Kur të kthehen pas armiqtë e mi, do të pengohen dhe do të zhduken përpara teje.
4 Se ke mbrojtur të drejtën time dhe çështjen time; je ulur në fron duke gjykuar me drejtësi.
5 Ke qortuar kombe, ke shkatërruar të ligun; emrin e tyre e ke fshirë përjetë e mot.
6 Armiku! Kanë përfunduar në gërmadha përgjithnjë; edhe qytetet e tyre i ke shkulur, kujtimi i vetë atyre ka humbur.
7 Por Jahveh-u qëndron përjetë; e ka vendosur për gjykim fronin e tij.
8 Dhe ai vetë do ta gjykojë botën me drejtësi, do ta bëjë gjykimin e popujve me barazi.
9 Jahveh-u do të jetë edhe fortesë për të shtypurin, fortesë për kohëra vështirësie.
10 Dhe ata që njohin emrin tënd, do të kenë besim në ty, sepse nuk i braktis ata që të kërkojnë, o Jahveh.
11 Psalmoni për Jahveh-un që rri në Sion, tregoni ndër popuj bëmat e tij.
12 Se ai që merr hak për gjakderdhje, i kujton ata, nuk e harron këlthitjen e të përvuajturve.
13 Hirësomë, o Jahveh! Shih mjerimin tim të shkaktuar nga ata që më urrejnë, o ti që më ngre lart prej portave të vdekjes,
14 me qëllim që të kumtoj të gjitha lëvdimet e tua. Në portat e bijës së Sionit do të ngazëllohem në shpëtimin tënd.
15 Kombet janë zhytur në gropën që kanë bërë; në rrjetën që kanë fshehur, është kapur këmba e tyre.
16 Jahveh-u është bërë i njohur; gjykim ka bërë. Në veprën e duarve të tij është zënë në kurth i ligu. (higgajon, selah)
17 Të ligjtë do të kthehen në Sheol, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.
18 Se nevojtari nuk do të harrohet përgjithnjë; shpresa e të varfërve nuk do të humbasë përgjithmonë.
19 Çohu, o Jahveh, të mos dalë i fortë njeriu! Le të gjykohen kombet përpara teje!
20 Shtjeru tmerrin atyre, o Jahveh! Le ta dinë kombet se ata janë thjesht njerëz! (selah)
Të gjithë librat
