Psalmet 89
1 Maskil i Etanit, ezrahitit. Për veprat e besëmirësisë së Jahveh-ut do të këndoj përjetë, për breza e breza do ta bëj të njohur me gojën time besnikërinë tënde.
2 Sepse kam thënë: "Përjetë do të ndërtohet besëmirësia, në vetë qiejt do ta vendosësh besnikërinë tënde".
3 Zoti tha: "Kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:
4 'Në përjetësi do ta vendos pasardhjen tënde dhe do ta ndërtoj për breza e breza fronin tënd'". (selah)
5 Dhe qiejt do të përlëvdojnë mrekullitë e tua, o Jahveh, gjithashtu besnikërinë tënde në bashkësinë e të shenjtëve.
6 Se kush krahasohet ndër re me Jahveh-un?! Kush i përngjet Jahveh-ut ndër bijtë e Perëndisë,
7 një Perëndi që e kanë shumë lemeri në këshillin e të shenjtëve dhe që është i frikshëm për të gjithë ata përreth tij?!
8 O Jahveh, Perëndia i ushtrive, kush është si ti i fuqishëm, o Jah?! Edhe besnikëria jote është përreth teje.
9 Ti e sundon fryrjen e detit; kur ngrihen dallgët e tij, ti i qetëson.
10 Ti vetë e ke dërrmuar Rahabin si të ishte një i therur, me krahun tënd të fortë ke shpërndarë armiqtë e tu.
11 Të tutë janë qiejt, jotja edhe toka; botën dhe mbushullinë e saj ti vetë i ke themeluar.
12 Veriun dhe jugun ti vetë i ke krijuar; Tabori dhe Hermoni i lëshojnë britma hareje emrit tënd.
13 Krahu yt është me fuqi, është e fortë dora jote, ngrihet lart e djathta jote.
14 Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd; besëmirësia dhe besnikëria shkojnë përpara fytyrës sate.
15 Lum populli që e njeh zërin e buçitjes! O Jahveh, ata ecin në dritën e fytyrës sate.
16 Në emrin tënd ngazëllojnë gjithë ditën dhe në drejtësinë tënde lartësohen.
17 Se bukuria e forcës së tyre je ti; me hatrin tënd ngrihet lart briri ynë.
18 Se Jahveh-ut i përket mburoja jonë dhe të Shenjtit të Izraelit i përket mbreti ynë.
19 Asokohe u fole në vegim besëmirëve të tu dhe the: "I kam dhënë ndihmë një trimi, kam ngritur lart një të zgjedhur nga populli.
20 Kam gjetur Davidin, shërbëtorin tim, me vajin tim të shenjtë e kam vajosur,
21 me të cilin dora ime do të jetë e palëkundur si dhe krahu im do ta forcojë.
22 Nuk do ta mashtrojë atë armiku dhe i padrejti nuk do ta pikëllojë.
23 Por unë do t'i thërrmoj para fytyrës së tij kundërshtarët e tij, dhe ata që e urrejnë, do t'i godas.
24 Kështu, besnikëria ime dhe besëmirësia ime do të jenë me të dhe në emrin tim do të ngrihet lart briri i tij.
25 Dhe unë do ta vë mbi detin dorën e tij dhe mbi lumenjtë të djathtën e tij.
26 Ai do të më thërrasë: 'Ati im je ti, Perëndia im dhe shkëmbi i shpëtimit tim!'.
27 Unë, gjithashtu, do ta bëj atë të parëlindurin tim, më të lartin e mbretërve të tokës.
28 Përjetë do ta mbaj ndaj tij besëmirësinë time dhe besëlidhja ime do të jetë e qëndrueshme ndaj tij.
29 Dhe do ta vë pasardhjen e tij që të jetë përgjithmonë dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
30 Nëse bijtë e tij e braktisin ligjin tim dhe nuk ecin në kanunet e mia,
31 nëse i përdhosin statutet e mia dhe nuk i mbajnë urdhërimet e mia,
32 atëherë do ta ndëshkoj me shkop shkeljen e tyre dhe me goditje paudhësinë e tyre.
33 Por besëmirësinë time nuk do ta heq prej tij dhe nuk do të veproj rrejshëm me besnikërinë time.
34 Nuk do ta përdhos besëlidhjen time dhe çfarë ka dalë nga buzët e mia, nuk do ta ndryshoj.
35 Një herë jam betuar për shenjtërinë time, nuk do ta gënjej kurrë Davidin.
36 Pasardhja e tij do të jetë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje.
37 Si hëna do të jetë i vendosur përjetë dhe si dëshmi besnike në re". (selah)
38 Por ti e ke hedhur poshtë dhe e ke hedhur tej; je zemëruar fort me të vajosurin tënd.
39 Ke përbuzur besëlidhjen e shërbëtorit tënd, ke përdhosur duke e hedhur përtokë kurorën e tij.
40 Ke çarë të gjitha muret e tij, i ke katandisur fortifikimet e tij në gërmadha.
41 E kanë plaçkitur të gjithë ata që kalojnë rrugës, është bërë objekt poshtërimi për fqinjët e tij.
42 E ke lartësuar të djathtën e kundërshtarëve të tij, i ke bërë të gëzohen të gjithë armiqtë e tij.
43 Gjithashtu, ti e kthen mbrapsht tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke bërë të mbahet në betejë.
44 E bëre të venitet nga shkëlqimi i tij dhe fronin e tij përtokë e ke hedhur.
45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij, e ke mbështjellë me turp. (selah)
46 Deri kur, o Jahveh? A do të fshihesh përgjithnjë? A do të digjet porsi zjarr mllefi yt?
47 Kujto sa është jetëgjatësia ime! Për çfarë kotësie i ke krijuar të gjithë bijtë e njeriut?!
48 Cili njeri jeton dhe nuk sheh vdekjen?! A do ta çlirojë shpirtin e vet nga dora e Sheolit?! (selah)
49 Ku janë veprat e mëparshme të besëmirësisë sate, o Zot, për të cilat i je betuar Davidit në besnikërinë tënde?
50 Kujto, o Zot, poshtërimin që u është bërë skllevërve të tu, se si mbaj në gjirin tim poshtërimin nga të gjithë popujt e shumtë,
51 me të cilin armiqtë e tu kanë poshtëruar, o Jahveh, me të cilin kanë poshtëruar gjurmët e hapave të të vajosurit tënd.
52 Bekuar qoftë Jahveh-u përjetë! "Amen" dhe "Amen".
Të gjithë librat
