Psalmet 88
1 Këngë. Psalm i bijve të Korahut. Për dirigjuesin. Mbi mahalat leanot. Maskil i Hemanit, ezrahitit. O Jahveh, Perëndia i shpëtimit tim, kam këlthitur ditën dhe gjatë natës para teje.
2 Arriftë përpara teje lutja ime! Anoje veshin tënd ndaj britmës sime!
3 Se është ngopur me të këqija shpirti im dhe jeta ime i është afruar Sheolit.
4 Jam llogaritur bashkë me ata që zbresin në gropë, jam bërë si një burrë që nuk ka forcë,
5 i lëshuar ndër të vdekurit, porsi të vrarët e shtrirë në varr, të cilët nuk i kujton më dhe të cilët janë qëruar nga dora jote.
6 Më ke vënë në pjesët më të poshtme të gropës, në vende të errëta, në thellësira.
7 Mbi mua ka mëshuar mllefi yt dhe me të gjitha dallgët e tua më ke pikëlluar. (selah)
8 Ke larguar prej meje të njohurit e mi, më ke bërë neveri për ta; jam i mbyllur brenda dhe nuk dal.
9 Syri im është venitur prej pikëllimit. Të kam thirrur, o Jahveh, në çdo ditë, kam shtrirë drejt teje duart e mia.
10 A do të bësh mrekulli për të vdekurit?! Mos do të çohen hijet dhe do të të përlëvdojnë?! (selah)
11 A do të kumtohet në varr besëmirësia jote, besnikëria jote në Abadon?!
12 A do të njihen në errësirë mrekullitë e tua dhe drejtësia jote në vendin e harresës?!
13 Por unë drejt teje, o Jahveh, kam thirrur për ndihmë dhe në mëngjes lutja ime mbërrin para teje.
14 Përse, o Jahveh, e hedh poshtë shpirtin tim dhe e fsheh fytyrën tënde prej meje?
15 I mjerë jam unë dhe në grahmat e fundit që nga rinia. Kam duruar tmerret e tua dhe jam i mpirë.
16 Mbi mua kanë kaluar tërbimet e tua, tmerritë e tua më kanë dhënë fund.
17 Më kanë rrethuar si ujërat gjithë ditën, më kanë qerthulluar bashkërisht.
18 Ke larguar prej meje njeriun e dashur dhe shokun; të njohurit e mi – errësira.
Të gjithë librat
