Psalmet 86
1 Lutje e Davidit. Anoje, o Jahveh, veshin tënd dhe përgjigjmu, sepse unë jam i varfër dhe nevojtar.
2 Mbroje shpirtin tim, sepse unë jam besëmirë! Shpëtoje skllavin tënd, atë që ka besim te ti, ti që je Perëndia im!
3 Hirësomë, o Zot, sepse drejt teje thërras gjithë ditën!
4 Gëzoje shpirtin e skllavit tënd, sepse drejt teje, o Zot, shpirtin tim e ngre!
5 Se ti, o Zot, je i mirë dhe falës, dhe plot besëmirësi për të gjithë ata që të thërrasin.
6 Vërja veshin, o Jahveh, lutjes sime dhe dëgjo me vëmendje zërin e përgjërimeve të mia!
7 Në ditën e ngushticës sime do të të thërras, sepse do të më përgjigjesh.
8 Nuk ka porsi ti ndër perënditë, o Zot, dhe nuk ka si veprat e tua.
9 Të gjitha kombet që ti ke bërë, do të vijnë dhe do të bien përmbys përpara teje, o Zot, dhe do ta nderojnë emrin tënd.
10 Se ti je i madh dhe bën vepra të mrekullueshme; ti je Perëndi, vetëm ti!
11 Mësomë, o Jahveh, rrugën tënde! Unë do të ec në të vërtetën tënde. Bashkoje zemrën time, që të ketë frikë emrin tënd!
12 Do të të përlëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemrën time dhe do ta nderoj emrin tënd përjetë.
13 Se besëmirësia jote është e madhe ndaj meje dhe ti e ke liruar shpirtin tim nga Sheoli përposhtë.
14 O Perëndi, njerëz krenarë janë çuar kundër meje dhe një bandë mizorësh kanë kërkuar jetën time, dhe nuk të kanë vënë para tyre.
15 Por ti, o Zot, je një Perëndi i dhembshur dhe i hirshëm, i ngadalshëm në zemërim dhe plot besëmirësi e besnikëri.
16 Kthehu drejt meje dhe hirësomë! Jepja forcën tënde skllavit tënd dhe shpëtoje birin e skllaves sate!
17 Më dëfto një shenjë për të mirë, që ta shohin ata që më urrejnë dhe të turpërohen, sepse ti, o Jahveh, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.
Të gjithë librat
