Psalmet 85
1 Për dirigjuesin. I bijve të Korahut. Psalm. Ti e hatërove, o Jahveh, tokën tënde, i ktheve robërit e Jakobit.
2 E fale paudhësinë e popullit tënd, e mbulove tërë mëkatin e tyre. (selah)
3 E tërhoqe gjithë furinë tënde, u ktheve pas nga tërbimi i zemërimit tënd.
4 Na kthe, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe fashite pezmin tënd kundër nesh!
5 A do të jesh i zemëruar përjetë me ne? A do të zgjasë zemërimi yt për breza e breza?
6 A nuk do të na gjallërosh ti vetë përsëri, që populli yt të gëzohet në ty?
7 Na e shfaq, o Jahveh, besëmirësinë tënde dhe shpëtimin tënd na e jep neve!
8 Le të dëgjoj se çfarë do të flasë Perëndia Jahveh, sepse ai do t'i flasë për paqe popullit të tij dhe besëmirëve të tij; por ata le të mos kthehen drejt marrëzisë.
9 Patjetër, afër atyre që e kanë frikë Perëndinë është shpëtimi i tij, me qëllim që lavdia të banojë në tokën tonë.
10 Besëmirësia dhe besnikëria janë takuar; drejtësia dhe paqja janë puthur.
11 Besnikëria mbin prej tokës dhe drejtësia shikon poshtë prej qiejve.
12 Po, Jahveh-u do të japë të mirën dhe toka jonë do të japë prodhimin e saj.
13 Drejtësia do të ecë përpara tij dhe do të shtrojë rrugën e hapave të tij.
Të gjithë librat
