Psalmet 84
1 Për dirigjuesin. Mbi gitit. I bijve të Korahut. Psalm. Sa të dashura janë vendbanimet e tua, o Jahveh i ushtrive!
2 Pati mall, e madje mbaroi shpirti im për oborret e Jahveh-ut. Zemra ime dhe mishi im lëshojnë britma hareje drejt Perëndisë së gjallë.
3 Madje zogu ka gjetur shtëpi dhe dallëndyshja një fole për vete, ku ka vënë të vegjlit e saj pranë altarëve të tu, o Jahveh i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.
4 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde! Ata vazhdimisht të lavdërojnë. (selah)
5 Lum njeriu forca e të cilit është në ty dhe udhët drejt Sionit në zemrën e tij!
6 Duke kaluar nëpër luginën e Bakasë, e bëjnë atë burim, edhe shiu i parë me bekime e mbështjell.
7 Shkojnë nga forca në forcë dhe secili paraqitet te Perëndia në Sion.
8 O Jahveh, Perëndia i ushtrive, dëgjoje lutjen time! Vër veshin, o Perëndi i Jakobit! (selah)
9 Mburojën tonë shihe, o Perëndi, dhe këqyr fytyrën e të vajosurit tënd!
10 Se më mirë është një ditë në oborret e tua sesa një mijë gjetiu. Do të zgjidhja më mirë që të qëndroj te pragu në shtëpinë e Perëndisë tim sesa të banoj në çadra ligësie.
11 Se diell dhe mburojë është Jahveh-u Perëndi; Jahveh-u jep hir dhe lavdi, nuk e kursen të mirën për ata që ecin me ndershmëri.
12 O Jahveh i ushtrive, lum njeriu që ka besim në ty!
Të gjithë librat
