Psalmet 83
1 Këngë. Psalm i Asafit. O Perëndi, mos rri në prehje! Mos rri në heshtje dhe mos mbaj qetësi, o Perëndi!
2 Sepse, ja, armiqtë e tu gumëzhijnë dhe ata që të urrejnë, kanë ngritur krye.
3 Kundër popullit tënd bëjnë komplot me dinakëri dhe këshillohen kundër atyre që i ruan si thesar.
4 Kanë thënë: "Ejani dhe le t'i shuajmë si komb, dhe të mos kujtohet më emri i Izraelit!".
5 Sepse janë këshilluar së bashku me një zemër të vetme, kundër teje kanë lidhur një besëlidhje:
6 çadrat e Edomit dhe ishmaelitët, Moabi dhe hagritët,
7 Gebali e Amoni, dhe Amaleku; Filistia bashkë me banorët e Tirit;
8 edhe Asiria është bashkuar me ta, janë bërë krah për bijtë e Lotit. (selah)
9 Bëjua atyre si Midianit, si Siserit dhe si Jabinit në përroin e Kishonit,
10 që u shfarosën në En-Dor dhe u bënë pleh për dheun.
11 Bëji fisnikët e tyre si Orebi dhe si Zeebi; dhe si Zebahu e si Calmunai, tërë krerët fisnorë të tyre,
12 të cilët thanë: "Le t'i marrim në pronësi për vete kullotat e Perëndisë".
13 O Perëndia im, bëji si një shakullinë, si kashta përpara erës.
14 Si zjarri që djeg një pyll dhe si flaka që i përflak malet,
15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe me tufanin tënd tmerroji!
16 Mbushi fytyrat e tyre me turpërim, që të kërkojnë emrin tënd, o Jahveh.
17 U turpërofshin e u tmerrofshin përgjithmonë dhe u koritshin e humbshin,
18 që ta dinë se ti (emri yt është Jahveh), vetëm ti je Shumë i Larti mbi gjithë tokën.
Të gjithë librat
