Psalmet 81
1 Për dirigjuesin. Mbi gitit. I Asafit. Lëshoni britma hareje për Perëndinë, forcën tonë! Brohorisni për Perëndinë e Jakobit!
2 Ngrini një psalmim dhe bjerini dajres, qestes së këndshme bashkë me lahutën.
3 Bjerini bririt në hënën e re, në hënën e plotë, për ditën e festës sonë.
4 Se ky është një statut për Izraelin, një kanun i Perëndisë së Jakobit.
5 Si dëshmi e ka vënë te Jozefi kur ai doli përtej tokës së Egjiptit. Dëgjoja një gjuhë që nuk e kam njohur:
6 "E lehtësova nga barra supin e tij, pëllëmbët e tij u liruan nga shporta.
7 Ti thirre në ngushticë dhe unë të çlirova. T'u përgjigja në vendin e fshehtë të gjëmimit, të provova tek ujërat e Meribës. (selah)
8 Dëgjo, o populli im, dhe do të dëshmoj kundër teje! O Izrael, sikur të më dëgjoje mua!
9 Nuk do të ketë në ty perëndi tjetër dhe nuk do të biesh përmbys para një perëndie të huaj.
10 Unë jam Jahveh-u, Perëndia yt, ai që të ngjiti lart prej tokës së Egjiptit. Hape krejt gojën tënde dhe unë do ta mbush!
11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk ka dashur të më bindej mua.
12 Atëherë i dorëzova në ashpërsinë e zemrës së tyre; ata ecnin sipas këshillave të tyre.
13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte mua, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!
14 Në çast do t'i bëja të nënshtroheshin armiqtë e tyre dhe kundër kundërshtarëve të tyre do ta ktheja dorën time;
15 ata që e urrejnë Jahveh-un, do t'i lëvareshin atij dhe koha e gjykimit të tyre do të ishte përjetë.
16 Por do ta ushqeja Izraelin nga më e mira e grurit, dhe me mjaltë nga shkëmbi do të të ngopja".
Të gjithë librat
