Psalmet 80
1 Për dirigjuesin. Për motivin shoshanim edut. I Asafit. Psalm. O Bariu i Izraelit, vër veshin, ti që drejton si një grigjë Jozefin! O ti që rri ulur mbi kerubinët, shkëlqe!
2 Para Efraimit dhe Beniaminit, dhe Manaseut ngrije peshë fuqinë tënde dhe eja për të na shpëtuar!
3 O Perëndi, na kthe sërish dhe bëj të shndritë fytyra jote mbi ne, që të shpëtohemi!
4 O Jahveh, Perëndia i ushtrive, deri kur do të jesh i bërë tym kundër lutjes së popullit tënd?
5 U ke dhënë të hanë bukë lotësh dhe u ke dhënë të pinë lot me shumicë.
6 Na bën të jemi sherr për fqinjët tanë dhe armiqtë tanë na përqeshin ndërmjet tyre.
7 O Perëndi i ushtrive, na kthe sërish dhe bëj të shndritë fytyra jote mbi ne, që të shpëtohemi!
8 Një hardhi prej Egjiptit shkule, mandej dëbove kombe dhe e mbolle.
9 Pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe mbushi vendin.
10 Malet u mbuluan me hijen e saj dhe me degët e saj cedrat e tejlartë.
11 I zgjati rrembat e saj deri në det dhe deri te lumi pinjollët e saj.
12 Përse i ke çarë avllitë e saj dhe kështu e vjelin të gjithë ata që kalojnë rrugës?
13 E përlan derri i egër nga pylli dhe çdo gjë që lëviz në fushë, kullot në të.
14 O Perëndi i ushtrive, kthehu, të lutemi! Këqyr prej qiejve dhe shih, dhe vizitoje këtë hardhi
15 dhe fidanin që ka mbjellë e djathta jote, dhe birin që ke forcuar për vete.
16 Ajo është djegur me zjarr, është prerë; prej hakërrimit të fytyrës sate ata humbasin.
17 Qoftë dora jote mbi njeriun e së djathtës sate, mbi birin e njeriut, që e ke forcuar për vete!
18 Dhe ne nuk do të tërhiqemi nga ti. Gjallërona dhe ne do të thërrasim emrin tënd!
19 O Jahveh, Perëndia i ushtrive, na kthe sërish, dhe bëj të shndritë fytyra jote mbi ne, që të shpëtohemi!
Të gjithë librat
