Psalmet 79
1 Psalm i Asafit. O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë ndotur tempullin tënd të shenjtë, e kanë kthyer Jerusalemin në gërmadha.
2 Ua kanë dhënë kufomat e skllevërve të tu si ushqim shpendëve të qiejve, mishin e besëmirëve të tu, bishave të tokës.
3 Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë përreth Jerusalemit dhe nuk kishte asnjeri që t'i varroste.
4 Jemi bërë objekt poshtërimi për fqinjët tanë, përqeshje dhe shpoti për ata përreth nesh.
5 Deri kur, o Jahveh? A do të jesh i zemëruar përgjithnjë? A do të digjet porsi zjarr xhelozia jote?
6 Derdhe mllefin tënd drejt kombeve që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që emrin tënd nuk e thërrasin!
7 Sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe banimin e tij e kanë shkretuar.
8 Mos i kujto kundër nesh paudhësitë e mëparshme; shpejt le të na mbërrijnë përdëllimet e tua, sepse kemi rënë tepër poshtë.
9 Ndihmona, o Perëndi i shpëtimit tonë, për çështjen e lavdisë së emrit tënd, dhe na liro e bëj shlyerje për mëkatet tona, për hir të emrit tënd!
10 Përse të thonë kombet: "Ku është Perëndia i tyre?". Le të bëhet e njohur ndër kombe para syve tanë hakmarrja për gjakun e skllevërve të tu, që është derdhur.
11 Arriftë përpara teje rënkimi i të burgosurit! Sipas madhësisë së krahut tënd ruaji gjallë të dënuarit me vdekje!
12 Dhe kthejua shtatëfish fqinjëve tanë në gjirin e tyre poshtërimin me të cilin të kanë poshtëruar ty, o Zot!
13 Atëherë ne, populli yt dhe grigja e kullotës sate, do të të përlëvdojmë ty përjetë. Për breza e breza do të kallëzojmë lëvdimin tënd.
Të gjithë librat
