Psalmet 78
1 Maskil i Asafit. Vërja veshin, o populli im, ligjit tim! Anojeni veshin tuaj ndaj thënieve të gojës sime!
2 Do ta hap gojën time me një fjalë të urtë, do të parashtroj gjëegjëza prej lashtësie,
3 që i kemi dëgjuar dhe i kemi njohur, dhe që etërit tanë na i kanë kallëzuar.
4 Nuk do t'i fshehim prej bijve të tyre, ndaj një brezi të ardhshëm do të kallëzojmë lëvdimet e Jahveh-ut dhe forcën e tij, dhe veprat e tij të mrekullueshme që ka bërë.
5 Se ai ngriti një dëshmi në Jakob dhe një ligj vuri në Izrael; ai i cili i urdhëroi etërit tanë që t'ua bëjnë të njohura ato bijve të tyre,
6 me qëllim që t'i njohë brezi i ardhshëm, bijtë që do të linden, që ata të ngrihen dhe t'ua kallëzojnë bijve të tyre,
7 dhe ta vënë në Perëndinë sigurinë e tyre, dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, dhe t'i ruajnë urdhërimet e tij,
8 dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe i pabindur, një brez që nuk e kishte të qëndrueshme zemrën e vet dhe që fryma e vet nuk ka qenë besnike ndaj Perëndisë.
9 Bijtë e Efraimit, duke qenë të armatosur si gjuajtës me hark, u kthyen pas në ditën e betejës.
10 Nuk e mbajtën besëlidhjen e Perëndisë dhe në ligjin e tij refuzuan që të ecnin.
11 Dhe harruan bëmat e tij dhe veprat e tij të mrekullueshme që ua kishte shfaqur.
12 Përballë etërve të tyre bëri mrekulli në tokën e Egjiptit, në ultësirën e Coanit.
13 Çau detin dhe i bëri të kalojnë, dhe ujërat i bëri të qëndrojnë porsi pirg.
14 Mandej ditën i udhëhoqi me renë dhe gjithë natën me dritë zjarri.
15 Dhe çau shkëmbinj në shkretëtirë, e u dha të pinë si të ishte prej thellësive të mëdha.
16 Dhe nxori rrjedha nga një shkrep, e bëri të zbresin ujëra si lumenjtë.
17 Por ata vazhduan ende të mëkatojnë kundër tij, të rebelohen kundër Shumë të Lartit në shkreti.
18 Dhe e sprovuan Perëndinë në zemrën e tyre, duke kërkuar ushqim sipas oreksit të tyre,
19 dhe folën kundër Perëndisë. Thanë: "A mundet Perëndia që të shtrojë një tryezë në shkretëtirë?
20 Ja, goditi një shkëmb dhe rrodhën ujëra e përrenj vërshuan. A mund të japë edhe bukë, apo të sigurojë mish për popullin e tij?".
21 Prandaj Jahveh-u e dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit, e po ashtu zemërimi shpërtheu kundër Izraelit,
22 sepse nuk besuan në Perëndinë dhe nuk patën besim në shpëtimin e tij.
23 Megjithatë, ai urdhëroi retë përsipër dhe dyert e qiejve i hapi,
24 dhe bëri që të bjerë si shi mbi ta manë, që të hanin, dhe u dha atyre grurin e qiejve.
25 Bukë të fuqishmish hëngri njeriu; u dërgoi atyre furnizim ushqimor sa të ngopeshin.
26 Nxori erë lindore në qiej dhe drejtoi me forcën e tij shirokun.
27 Dhe bëri të bjerë shi mishi mbi ta si pluhuri, dhe shpendë me flatra si rëra e deteve.
28 Madje e bëri të bjerë në mesin e fushimit të tij, përreth vendbanimit të tij.
29 Dhe ata hëngrën e u ngopën sa s'ka dhe atë që dëshiruan, ua solli atyre.
30 Nuk ishin larguar nga dëshirimi i tyre dhe ende ushqimi i tyre ishte në gojën e tyre
31 kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre dhe vrau disa nga të shëndetshmit e tyre dhe djelmosha të Izraelit i përmbysi.
32 Megjithëkëtë, ata mëkatuan ende dhe nuk besuan në veprat e tij të mrekullueshme.
33 Atëherë ai u dha fund si avull ditëve të tyre dhe viteve të tyre në tmerrim të papritur.
34 Kur i vrau ata, atëherë e kërkuan; atëherë u kthyen dhe e kërkuan ethshëm Perëndinë,
35 dhe u kujtuan se Perëndia ishte shkëmbi i tyre, dhe Perëndia Shumë i Lartë ishte shpenguesi i tyre.
36 Por e mashtruan me gojën e tyre dhe me gjuhën e tyre e gënjyen atë,
37 dhe zemra e tyre nuk qe e qëndrueshme ndaj tij, dhe nuk qenë besnikë në besëlidhjen e tij.
38 Por ai, duke qenë i dhembshur, ua shlyente paudhësinë dhe nuk i shkatërronte, madje shpeshherë e tërhiqte pas zemërimin e tij dhe nuk i jepte shfrim gjithë mllefit të tij.
39 Dhe u kujtua se thjesht mish ishin ata, frymë që shkon dhe nuk kthehet pas.
40 Sa shpesh rebeloheshin kundër tij në shkretëtirë dhe e trishtonin atë në shkreti!
41 Dhe sërish e sprovuan Perëndinë dhe të Shenjtin e Izraelit e lënduan.
42 Nuk e kujtuan dorën e tij ditën kur i shpengoi nga kundërshtari,
43 kur kreu në Egjipt shenjat e tij dhe çuditë e tij në ultësirën e Coanit,
44 dhe i shndërroi në gjak lumenjtë e egjiptasve dhe nga rrjedhat e tyre nuk mund të pinin.
45 Ai dërgoi ndër ta mizëri mizash që i grinë dhe bretkosa që i shkatërruan,
46 dhe ia dha bulkthit prodhimin e tyre, dhe mundin e tyre karkalecit.
47 E vrau me breshër hardhinë e tyre dhe pemët e fikut egjiptian me brymë,
48 dhe ia dorëzoi kafshët e tyre breshrit dhe bagëtinë e tyre rrufeve.
49 Dërgoi mbi ta tërbimin e zemërimit të tij, furí e zemëratë dhe ankth, një dërgatë engjëjsh që sjellin fatkeqësi.
50 Sheshoi shtegun për zemërimin e tij; nuk e kurseu nga vdekja shpirtin e tyre dhe jetën e tyre murtajës ia dorëzoi,
51 dhe goditi çdo të parëlindur në Egjipt, frytin e parë të fuqisë burrërore në çadrat e Kamit.
52 Atëherë e nxori si delen popullin e tij dhe i drejtoi si një kope nëpër shkretëtirë.
53 Dhe i udhëhoqi në siguri e ata nuk u trembën, por armiqtë e tyre i mbuloi deti.
54 Mandej i solli deri në territorin e tij të shenjtë, te ky mal që e ka fituar e djathta e tij,
55 dhe dëboi kombe para syve të tyre, dhe ua shpërndau në hise me litar matës si trashëgimi, dhe i bëri të banojnë në çadrat e tyre fiset e Izraelit.
56 Megjithatë, ata e sprovuan dhe u rebeluan kundër Perëndisë Shumë të Lartë dhe dëshmitë e tij nuk i mbajtën,
57 por u tërhoqën dhe u sollën pabesisht si etërit e tyre, dhe u shtrembëruan si një hark që s'punon,
58 dhe e pezmatuan me vendet e tyre të larta, dhe me figurat e gdhendura të tyre e bënë xheloz.
59 Perëndia e dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe e hodhi tej krejtësisht Izraelin.
60 Kështu, e la në harresë vendbanimin në Shiloh, çadrën që e kishte bërë banesë mes njerëzisë,
61 dhe e la të bjerë në robëri forcën e tij, dhe bukurinë e tij në dorë të kundërshtarit,
62 dhe ia dorëzoi shpatës popullin e tij, dhe me trashëgiminë e tij u zemërua fort.
63 Djelmoshat e tij i përpiu zjarri dhe virgjëreshat e tij nuk u lavdëruan.
64 Priftërinjtë e tij ranë prej shpatës dhe të vejat e tij nuk qanë.
65 Atëherë Zoti u zgjua si dikush që fle, si një trim që e ka zënë vera,
66 dhe i goditi pas shpine kundërshtarët e tij, një poshtërim të përjetshëm hodhi mbi ta.
67 Ai edhe hodhi tej çadrën e Jozefit dhe fisin e Efraimit nuk e zgjodhi,
68 por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, të cilin e deshi.
69 Dhe e ndërtoi porsi lartësitë shenjtëroren e tij, si tokën që e ka themeluar përjetë.
70 Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori prej vathave të dhenve.
71 Prej së shkuari mbas deleve që mëndin e solli, që të baritonte Jakobin, popullin e tij, dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
72 Dhe ai i baritoi sipas ndershmërisë së zemrës së tij, dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.
Të gjithë librat
