Psalmet 77
1 Për dirigjuesin. Sipas Jedutunit. I Asafit. Psalm. Zëri im ngrihet drejt Perëndisë dhe dua të këlthas. Zëri im ngrihet drejt Perëndisë dhe ai do të ma vërë veshin.
2 Në ditën e ngushticës sime, Zotin e kërkova. Dora ime natën mbeti e shtrirë dhe nuk mpihej. Refuzoi që të ngushëllohej shpirti im.
3 Dua ta kujtoj Perëndinë dhe të rënkoj, dua të ankohem dhe fryma ime mpaket. (selah)
4 Ti m'i ke mbajtur hapur qepallat e syve; unë jam i shqetësuar dhe nuk mund të flas.
5 Kam sjellë ndër mend ditët nga lashtësia, vitet e qëmotit.
6 Dua ta kujtoj këngën time gjatë natës; me zemrën time të përsiat dhe fryma ime bën kërkime.
7 A do të më hedhë poshtë përjetë Zoti dhe nuk do të vazhdojë më të gjejë kënaqësi tek unë?!
8 A ka shteruar përgjithnjë besëmirësia e tij?! A ka mbaruar thënia e tij për breza e breza?!
9 A ka harruar që të jetë i hirshëm Perëndia, apo i ka mbyllur në zemërim përdëllimet e tij?! (selah)
10 Atëherë thashë: "Kjo është që më sëmbon: që e djathta e Shumë të Lartit ka ndryshuar".
11 Do të kujtoj veprat e Jah-ut; njëmend, dua të kujtoj mrekullitë e tua që nga lashtësia.
12 Dhe do të përsiat mbi gjithë punën tënde; edhe në bëmat e tua dua ta çoj mendjen.
13 O Perëndi, në shenjtëri është rruga jote. Cili perëndi është i madh si Perëndia?!
14 Ti vetë je Perëndia që bën mrekulli, ti e ke bërë të njohur ndër popuj forcën tënde.
15 Ti ke shpenguar me krahun tënd popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (selah)
16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u drodhën; gjithashtu u trandën thellësitë.
17 Ujëra derdhën retë e zeza, zë lëshuan retë; gjithashtu shigjetat e tua vërshonin andej-këndej.
18 Zëri i gjëmimit tënd ishte në shakullinë, vetëtimat ndriçuan botën, toka u trand dhe u drodh.
19 Në det ishte rruga jote dhe shtegu yt në ujëra të shumta, por gjurmët e këmbëve të tua nuk u njohën.
20 Ti e udhëhoqe si një grigjë popullin tënd me dorën e Moisiut dhe të Aronit.
Të gjithë librat
