Psalmet 76
1 Për dirigjuesin. Në vegla me korda. Psalm i Asafit. Këngë. I njohur është në Judë Perëndia; në Izrael është i madh emri i tij.
2 Dhe në Salem është shatorrja e tij, dhe vendbanimi i tij në Sion.
3 Atje ka copëtuar shigjetat e përflakura të harkut, mburojën dhe shpatën, dhe armët e betejës. (selah)
4 I shndritshëm je ti, i madhërishëm, duke zbritur prej maleve të presë.
5 Ata me zemrën shkëmb janë plaçkitur, kanë dremitur në gjumin e tyre, dhe asnjë prej burrave të zotë nuk mund të përdorte duart.
6 Prej hakërrimit tënd, o Perëndi i Jakobit, kanë rënë në gjumë të thellë edhe luftëtari me koçi, edhe kali.
7 Ti, ti vetë je i frikshëm dhe kush mund të qëndrojë përpara teje me t'u zemëruar ti?!
8 Prej qiejve bëre të dëgjohet gjykimi. Toka pati frikë dhe mbajti qetësi
9 kur u çua Perëndia për gjykim, që të shpëtojë të gjithë të përvuajturit e tokës. (selah)
10 Me siguri, mllefi i njeriut do të të përlëvdojë; me mbetjen e mllefeve do të ngjishesh.
11 Lidhni kushte dhe përmbushini ndaj Jahveh-ut, Perëndisë tuaj! Të gjithë ata përreth tij le t'i sjellin peshqesh të Frikshmit.
12 Ai e heq frymën e prijësve; ai është i frikshëm për mbretërit e tokës.
Të gjithë librat
