Psalmet 75
1 Për dirigjuesin. Mbi motivin "Mos shkatërro". Psalm i Asafit. Këngë. Ty të përlëvdojmë, o Perëndi! Ne përlëvdojmë, se i afërt është emri yt; njerëzit kallëzojnë veprat e tua të mrekullueshme.
2 "Kur të vendos kohën e caktuar, unë vetë do të gjykoj me barazi.
3 Po shkrihet toka dhe gjithë banorët e saj; vetë unë i kam vendosur mirë shtyllat e saj. (selah)
4 U kam thënë atyre që lavdërohen: 'Mos u lavdëroni!', dhe të ligjve: 'Mos e ngrini bririn lart!
5 Mos e ngrini bririn tuaj lart e më lart, mos flisni me kokëfortësi!'".
6 Se nuk vjen nga lindja e as nga perëndimi, dhe as nga shkretëtira të ngriturit lart,
7 sepse Perëndia është ai që gjykon; këtë e ul dhe atë e ngre lart.
8 Se një kupë është në dorën e Jahveh-ut dhe vera ka shkumuar plot me përzierje erëzash, dhe ai do ta derdhë atë. Patjetër, llumin e saj do ta pinë sa ta thajnë të gjithë të ligjtë e tokës.
9 Por unë do ta shpall atë përjetë; do të psalmoj për Perëndinë e Jakobit.
10 "Dhe tërë brirët e të ligjve do t'i pres. Brirët e të drejtit do të ngrihen lart".
Të gjithë librat
