Psalmet 74
1 Maskil i Asafit. Përse, o Perëndi, na ke hedhur poshtë përgjithnjë? Përse zemërimi yt nxjerr tym kundër grigjës së kullotës sate?
2 Kujto bashkësinë tënde, që e ke blerë nga lashtësia, që e ke shpenguar për të qenë fisi i trashëgimisë sate! Kujto malin e Sionit në të cilin ke banuar!
3 Ngriji hapat e tu drejt rrënojave të gjithnjëshme; gjithçka ka prishur armiku në shenjtërore!
4 Kundërshtarët e tu kanë vrumbullitur në mes të vendit tënd të takimit, kanë vënë shenjat e tyre si shenja.
5 Kundërshtari njihet si një që ngre përpjetë sëpatat në dendësinë e pemëve.
6 Dhe tani, krejt gdhendjet e saj me sakicë dhe kazma i godasin.
7 I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate, kanë përdhosur, duke e hedhur përtokë, vendbanimin e emrit tënd.
8 Kanë thënë në zemrën e tyre: "Le t'i shtypim krejt!". Kanë djegur të gjitha vendet e takimit të Perëndisë në vend.
9 Shenjat tona nuk i shohim; nuk ka më profet dhe nuk kemi mes nesh dikë që e di deri kur.
10 Deri kur, o Perëndi, do të poshtërojë kundërshtari? A do ta përbuzë armiku emrin tënd përgjithnjë?
11 Përse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën tënde? Nxirre prej mesit të gjirit tënd dhe zhduki!
12 Por Perëndia është Mbreti im që prej lashtësisë; ai që kryen vepra shpëtuese në mes të tokës.
13 Ti vetë e ndave detin me forcën tënde dhe theve kokat e përbindëshave të detit në ujërat.
14 Ti vetë i dërrmove kokat e Leviatanit; e dhe atë si ushqim për krijesat banuese të stepës.
15 Ti vetë bëre të shpërthejnë burimi dhe përroi. Ti vetë bëre të thahen lumenj të pashtershëm.
16 Jotja është dita, jotja edhe nata. Ti vetë ke vendosur ndriçuesin dhe diellin.
17 Ti vetë i ke caktuar tërë kufijtë e tokës; verën dhe dimrin ti vetë i ke formuar.
18 Kujto këtë, që armiku të ka poshtëruar, o Jahveh, dhe një popull budalla ka përbuzur emrin tënd.
19 Mos ia jep një shtaze jetën e turtulleshës sate; jetën e të varfërve të tu mos e harro përgjithnjë.
20 Këqyr drejt besëlidhjes, se vendet e errëta të tokës janë mbushur me strofka dhune.
21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i çnderuar! I varfri dhe nevojtari le ta lavdërojnë emrin tënd!
22 Çohu, o Perëndi, mbroje çështjen tënde! Kujto poshtërimin që të bën budallai gjithë ditën!
23 Mos harro zërin e kundërshtarëve të tu, buçimën e atyre që çohen kundër teje, e cila ngjitet lart vazhdimisht!
Të gjithë librat
