Psalmet 72
1 I Solomonit. O Perëndi, jepja gjykimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit.
2 Ai do të bëjë gjykimin e popullit tënd me drejtësi dhe të të varfërve të tu sipas së drejtës.
3 Malet do të mbartin paqe për popullin, edhe kodrat, me drejtësi.
4 Ai do t'u japë të drejtën të varfërve të popullit, do t'i shpëtojë bijtë e nevojtarit dhe do ta dërrmojë shtypësin.
5 Ata do të të kenë frikë për sa të jetë dielli dhe sa të jetë hëna, për breza brezash.
6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si rrebeshet pikuese mbi tokë.
7 Në ditët e tij do të bulëzojë i drejti dhe mbushulli paqeje do të ketë, derisa hëna më të mos jetë.
8 Dhe le të sundojë nga deti në det dhe nga Lumi deri në skaje të tokës.
9 Përpara tij do të përkulen banuesit e stepës dhe armiqtë e tij pluhur do të lëpijnë.
10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do të paguajnë haraç; mbretërit e Shebës dhe të Sebës do të ofrojnë dhuratë.
11 Dhe do të bien përmbys para tij të gjithë mbretërit; të gjitha kombet do t'i shërbejnë.
12 Se ai do ta lirojë nevojtarin që thërret për ndihmë, edhe të varfrin dhe atë që nuk ka asnjë që ta ndihmojë.
13 Do t'i vijë keq për të vobektin dhe nevojtarin, dhe shpirtrat e nevojtarëve do t'i shpëtojë.
14 Nga shtypja dhe nga dhuna do ta shpengojë shpirtin e tyre dhe do të jetë i kushtueshëm gjaku i tyre në sytë e tij.
15 Prandaj, rroftë ai, dhe i dhëntë atij secili nga ari i Shebës! Dhe u luttë për të secili vazhdimisht, gjithë ditën e bekoftë!
16 Pastë bollëk gruri në vend dhe në majë të maleve! U valëvittë si pemët e Libanit fryti i tij dhe çelshin banorët e qytetit si bimësia e tokës!
17 Mbettë emri i tij përjetë! Sa të jetë dielli, emri i tij u rrittë! Dhe njerëzit u bekofshin në të; të gjitha kombet e shpallshin të lum!
18 Bekuar qoftë Jahveh-u Perëndi, Perëndia i Izraelit, ai që i vetmi bën vepra të mrekullueshme!
19 Bekuar qoftë emri i tij i lavdishëm përjetë dhe u mbushtë me lavdinë e tij e gjithë toka! Amen dhe Amen.
20 Këtu kanë mbaruar lutjet e Davidit, birit të Jeseut.
Të gjithë librat
