Psalmet 71
1 Në ty, o Jahveh, jam strehuar. Mos lejo të turpërohem kurrë!
2 Në drejtësinë tënde liromë dhe çliromë! Anoje drejt meje veshin tënd dhe shpëtomë!
3 Ji për mua një shkëmb për banim, ku mund të hyj vazhdimisht! Ti ke dhënë urdhër për të më shpëtuar, sepse shkrepi im dhe kështjella ime je ti.
4 O Perëndia im, çliromë nga dora e të ligut, nga pëllëmba e atij që vepron padrejtësisht dhe e atij që është i ashpër!
5 Se ti je shpresa ime; o Zot Jahveh, besimi im qysh prej rinisë sime.
6 Te ti jam mbështetur që nga barku i nënës. Nga brendësia e nënës sime ti je që më nxore. Për ty është lëvdimi im vazhdimisht.
7 Si çudi jam bërë për shumë njerëz, por ti je streha ime e fortë.
8 Është mbushur goja ime me lëvdimin tënd, gjithë ditën edhe me bukurinë tënde.
9 Mos më flak në kohën e pleqërisë! Kur të më mbarojë forca, mos më braktis!
10 Sepse armiqtë e mi kanë folur për mua dhe ata që këqyrin për jetën time, janë këshilluar bashkë,
11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, se nuk ka asnjë që e liron".
12 O Perëndi, mos qëndro larg nga unë! O Perëndia im, në ndihmën time nxito!
13 U turpërofshin dhe u shofshin ata që akuzojnë shpirtin tim! U mbështjellshin me poshtërim dhe çnderim ata që kërkojnë të keqen time!
14 Ndërsa unë vazhdimisht do të shpresoj dhe do ta shtoj edhe më tepër lëvdimin për ty.
15 Goja ime do të kumtojë drejtësinë tënde dhe gjithë ditën shpëtimin tënd, se shumën e tyre nuk e di.
16 Do të vij me veprat e fuqishme të Zotit Jahveh. Do të sjell në kujtesë drejtësinë tënde, vetëm tënden.
17 O Perëndi, ti më ke mësuar qysh prej rinisë sime, e deri tani unë tregoj veprat e tua të mrekullueshme.
18 E madje deri në pleqëri dhe me flokë të thinjur, o Perëndi, mos më braktis, derisa t'i tregoj për krahun tënd brezit të ri, për fuqinë tënde çdokujt që do të vijë.
19 Dhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësi. Ti që ke bërë gjëra të mëdha, o Perëndi, kush është si ti?
20 Ti që më bëre të shoh ngushtica të shumta dhe të këqija, do të më sjellësh në jetë përsëri dhe prej thellësive të tokës do të më ngjitësh lart përsëri.
21 Do ta rritësh madhështinë time dhe do të kthehesh nga unë e do të më ngushëllosh!
22 Unë, gjithashtu, do të të përlëvdoj me veglën e lahutës; edhe besnikërinë tënde, o Perëndia im. Do të psalmoj për ty me qeste, o i Shenjti i Izraelit.
23 Do të lëshojnë britma hareje buzët e mia kur të psalmoj për ty; edhe shpirti im, të cilin e ke shpenguar.
24 Gjuha ime, gjithashtu, do të shprehë gjithë ditën drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar, sepse janë koritur ata që kërkojnë të keqen time.
Të gjithë librat
