Psalmet 7
1 Shiggajon i Davidit, të cilin e këndoi për Jahveh-un në lidhje me fjalët e Kushit, një beniaminiti. O Jahveh, Perëndia im, në ty jam strehuar; shpëtomë prej të gjithë ndjekësve të mi dhe liromë,
2 se mos ai e shqyen si luan shpirtin tim, duke më copëtuar dhe pa qenë dikush që më liron.
3 O Jahveh, Perëndia im, nëse e kam bërë këtë, nëse ka padrejtësi në duart e mia,
4 nëse ia kam shpaguar me të keqe atij që është në paqe me mua dhe kam plaçkitur kundërshtarin tim pa arsye,
5 e ndjektë armiku shpirtin tim dhe e arriftë, dhe e shkeltë përtokë jetën time, dhe në pluhur e bëftë të banojë nderin tim! (selah)
6 Çohu, o Jahveh, në zemërimin tënd! Ngrihu kundër furisë së kundërshtarëve të mi dhe zgjohu për mua! Ti gjykimin ke urdhëruar.
7 Dhe le të të rrethojë një tubim popujsh, dhe përmbi atë kthehu në lartësi!
8 Jahveh-u gjykon popuj. Përligjmë, o Jahveh, sipas drejtësisë sime dhe sipas ndershmërisë sime që është tek unë!
9 Oh, le të përfundojë e keqja e të ligjve, dhe bëje të qëndrueshëm të drejtin! Por ai që provon zemrat dhe veshkat është Perëndi i drejtë.
10 Mburoja ime është te Perëndia që shpëton të drejtët nga zemra.
11 Perëndia është gjykatës i drejtë dhe Perëndi që zemërohet për çdo ditë.
12 Nëse një njeri nuk kthehet, Perëndia mpreh shpatën e tij; harkun e tij e ka tendosur dhe e ka përgatitur.
13 Dhe për të ka përgatitur armët e vdekjes, shigjetat e tij, si boshte të zjarrta i punon.
14 Ja, ai mbarset me paudhësi dhe ngjiz prapësi, dhe pjell gënjeshtër.
15 Një gropë gërmoi dhe e rrëmoi, por ra në grackën që bëri.
16 Prapësia e tij do t'i kthehet mbi kokë dhe mbi çafkë do t'i zbresë dhuna e tij.
17 Do ta përlëvdoj Jahveh-un sipas drejtësisë së tij dhe do të psalmoj për emrin e Jahveh-ut, Shumë të Lartit.
Të gjithë librat
