Psalmet 69
1 Për dirigjuesin. Mbi motivin shoshanim. I Davidit. Shpëtomë, o Perëndi, sepse ujërat më kanë arritur deri në fyt.
2 Jam zhytur në llum të thellë dhe nuk ka taban për këmbët. Kam hyrë në thellësi të ujërave dhe rryma ka vërshuar mbi mua.
3 Jam lodhur nga të thirrurit tim, më është tharë gryka; mbaruan sytë e mi duke pritur për Perëndinë tim.
4 Janë më shumë sesa flokët e kokës sime ata që më urrejnë pa shkak. Janë të fuqishëm ata që duan të më asgjësojnë, duke qenë armiq të mi padrejtësisht. Atëherë, më duhet të kthej atë që nuk kam vjedhur!
5 O Perëndi, ti vetë e njeh marrëzinë time dhe fajet e mia nuk janë të fshehura prej teje.
6 Mos u turpërofshin për shkakun tim ata që presin për ty, o Zot, Jahveh-u i ushtrive! Mos u çnderofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit!
7 Sepse për hatrin tënd kam duruar poshtërimin; e ka mbuluar çnderimi fytyrën time.
8 I tëhuajtur jam bërë për vëllezërit e mi dhe i huaj për bijtë e nënës sime.
9 Se zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe poshtërimet e atyre që të poshtërojnë, kanë rënë mbi mua.
10 Edhe kam qarë duke e pikëlluar me agjërim shpirtin tim, por kjo është kthyer në poshtërime ndaj meje.
11 Madje kam vënë si veshjen time një grathore, por jam bërë për ta një proverb.
12 Flasin për mua ata që ulen te porta dhe përmendem në këngët e pijanecëve.
13 Por unë e çoj lutjen time drejt teje, o Jahveh, në një kohë të pranueshme. O Perëndi, në mbushullinë e besëmirësisë sate përgjigjmu me besnikërinë e shpëtimit tënd!
14 Nxirrmë nga balta dhe mos lejo të zhytem! Bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga thellësitë e ujërave!
15 Mos lejo të vërshojë mbi mua rryma e ujërave dhe mos lejo të më gëlltisë thellësia, dhe mos lejo që të mbyllë mbi mua pusi gojën e tij!
16 Përgjigjmu, o Jahveh, sepse e mirë është besëmirësia jote! Sipas mbushullisë së përdëllimeve të tua kthehu drejt meje,
17 dhe mos e fshih fytyrën tënde prej skllavit tënd, sepse jam ngushtë. Përgjigjmu shpejt!
18 Afroju shpirtit tim dhe shpengoje! Për shkak të armiqve të mi, bëj shpërblesën time!
19 Ti vetë e njeh poshtërimin tim dhe turpin tim, dhe çnderimin tim; para teje janë të gjithë kundërshtarët e mi.
20 Poshtërimi e ka thyer zemrën time dhe jam dëshpëruar. Dhe prita për keqardhje nga ndokush, por nuk ka, edhe për ngushëllues, por nuk gjeta asnjë.
21 Madje më dhanë në ushqimin tim vrer dhe për etjen time më dhanë të pi uthull.
22 Qoftë tryeza e tyre para tyre si një çark dhe për ata në paqe me ta si një kurth.
23 U errësofshin sytë e tyre që të mos shohin dhe ijët e tyre bëji të lëkunden vazhdimisht!
24 Derdhe mbi ta zemëratën tënde dhe tërbimi i zemërimit tënd i zëntë!
25 Qoftë fushimi i tyre i shkretuar! Në çadrat e tyre mos pastë asnjë që rri në to!
26 Sepse atë që ti vetë e ke goditur, e kanë përndjekur, dhe kallëzojnë për dhembjen e atyre që ke plagosur.
27 Shto paudhësi mbi paudhësinë e tyre dhe mos hyfshin në drejtësinë tënde!
28 U fshifshin nga libri i të gjallëve dhe me të drejtët mos u shkrofshin!
29 Por unë vetë jam i mjerë dhe në dhembje. Shpëtimi yt, o Perëndi, më vendostë lart në siguri!
30 Do ta lavdëroj emrin e Perëndisë me këngë dhe do ta madhëroj me përlëvdim.
31 E kjo do të jetë më e mirë për Jahveh-un sesa një ka apo një dem me brirë dhe me thundra.
32 Do ta shohin të përvuajturit dhe do të gëzohen. Për ju që kërkoni Perëndinë, rroftë zemra juaj!
33 Sepse Jahveh-u i dëgjon nevojtarët dhe të vetët që janë të burgosur, nuk i përbuz.
34 Le ta lavdërojnë qiejt dhe toka, detet dhe çdo gjë që rrëshqet në to.
35 Se Perëndia do ta shpëtojë Sionin dhe do t'i ndërtojë qytetet e Judës; dhe ata do të banojnë atje, dhe do ta marrin në zotërim;
36 dhe pasardhja e skllevërve të tij do ta trashëgojë, dhe ata që e duan emrin e tij, do të banojnë në të.
Të gjithë librat
